Pesë persona nga komuna e Vushtrrisë janë konfirmuar me virusin COVID-19 mbrëmjen e së hënës. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se do të jetë më rigoroz në zbatimin e masave mbrojtëse, për të parandaluar përhapjen e virusit në këtë komunë.
Tahiri ka treguar se si ka ardhur deri te infektimi me virus i pesë personave nga komuna e Vushtrrisë.
“Indikacionet e para janë se mund të jetë ndonjëri prej familjarëve që punon në Prishtinë i cili ka sjellur virusin në shtëpi, por edhe nuk është ende 100 për qind e konfirmuar nga IKSHPK, por megjithatë kjo është ajo më e mundshmja se si ka mundur të vijë virusi në fshatin Studime”, tha Tahiri.
“Vajza e të infektuarit është punonjëse shëndetësore në Vushtrri, por që ka rezultuar negativ. Një familjar tjetër i ngushtë i personit të parë punon në Ministri të Drejtësisë dhe me gjasë nga atje ka ardhë virusi në komunën tonë dhe është shfaqur prapë. Unë nuk mund ta them me konfirmim 100 për qind sepse kjo është punë e IKSHPK’së, por nga informatat që kemi deri tani kjo është rruga se si kemi ardhë deri te infeksioni. Natyrisht se po gjurmojmë edhe kontakte tjera”, ka treguar Tahiri.
Kreu i Vushtrrisë në lidhjen direkte për Gazetën Express tha se gjatë ditës së sotme do të testohen 31 persona të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me të prekurit e mbrëmshëm.
“Mbrëmë janë konfirmuar pesë raste të reja, parmbrëmë kishim një rast të ri nga e njëjta familje, tash janë bërë 6 persona nga ajo familje me COVID-19. Kemi valën e dytë të infeksioneve, pasi kishim përmbyllur me sukses valën e parë ku kishim 24 të infektuar prej të cilëve 23 u shëruan dhe fatkeqësisht kishim një vdekje. Tani me gjasë kemi valën e dytë të infeksioneve, kemi gjurmuar të gjitha kontaktet, dje janë bërë 10 teste, sot do të bëhen 31 teste të reja”, theksoi Tahiri.
Tahiri tregoi se 16 punonjës shëndetësorë janë duke qëndruar në vetizolim për shkak të kontaktit që kishin pasur me njërin nga të prekurit me COVID-19.
“Kemi 16 punonjës shëndetësorë në vetizolim të cilët kanë trajtuar pacientin e parë dhe sot do të testohen. Të gjithë punonjësit kanë qenë me masa mbrojtëse, nuk presim që të rezultojnë pozitivë”, tha Tahiri.
Ai tha se po vërehet relaksim i tepërt i qyetarëve, e për këtë paralajmëroi edhe masa rigoroze, deri tek gjobat për ata që nuk respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombetar të Shëndetësisë [ublike të Kosovës.
“Po vërehet një relaksim i tepërt, për faktin se menduam se e mposhtëm virusin përfundimisht, ky relaksim nuk duhet të ndodhë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se virusi është në mesin tonë dhe të gjithë mund të jemi bartës të tij edhe nëse nuk kemi shenja”, tha Tahiri.
“Ne do të jemi rigorozë në zbatim të masave mbrojtëse, edhe te marketet, edhe te dyqanet, por edhe te qytetarët. Nuk do të lejojmë grumbullime të qytetarëve nëpër sheshe dhe parqe. E di që ramazan dhe në traditën tonë është të shkojmë dhe të bëjmë iftar tek njëri-tjetri, por duhet ta bëjmë edhe këtë sakrificë në mënyrë që të mos na kthehet virusi. Nëse ne relaksohemi dhe bëhemi të pavëmendshëm virusi do të na kthehet”, ka thënë Tahiri për Express.
“Nuk mund të lejojmë të kthehemi në gjendjen që kemi qenë, që qyteti të izolohet prapë vetëm pse disa persona pritojnë të mbajnë maskën dhe mjetet tjera mbrojtëse, kjo është e patolerueshme dhe do të jemi mjaft rigorozë, do të shqiptojmë gjoba ndaj te gjithë atyre që janë të pavëmendshëm dhe nuk respektojnë masat mbrojtëse”, theksoi kryetari i Vushtrrisë.