Tahiri paralajmëron partitë: Do të dënoheni nëse s’respektoni masat, kandidatët duhet të jenë shembull

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 13:17 | Nga Kastriot Kokollari

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës ka filluar të gjobisë subjektet politike për mosrespektim të masave anti-Covid gjatë tubimeve zgjedhore.

Së fundmi është dënuar me shumë me 2 000 euro Lidhja Demokratike e Kosovës, ku gjatë një tubimi nuk ishin respektuar masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se kandidatët në këto zgjedhje duhet të jenë shembull për qytetarët në respektimin e masave, mirëpo sipas tij, po ndodh e kundërta.

“Në fakt nuk është vetëm çështje vetëm e orarit por është e shkeljes së ligjit për parandalimin e pandemisë dhe  të masave të votuara në Qeverinë e Kosovës ku nuk lejohet grumbullimi i njerëzve. Duke qenë kështu ne nga e njëjta qeveri dhe po të njëjtit deputetë jemi obliguar që çdo ditë të dënojmë qytetarë e biznese atëherë këta do të duhej të ishin shembull i këtyre rregullave dhe jo të ndodhë e kundërta”.

Tahiri, ka paralajmëruar gjoba për të gjitha subjektet politike që bien në kundërshtim me Ligjin për luftimin e pandemisë.

“Duke parë që subjektet politike nëpër gjithë Kosovën kanë filluar të organizojnë tubime në kundërshtim me ligjin të cilin vet e kanë votuar,  ne pardje i kemi paralajmëruar që për secilin tubim që e vërejmë do të ju shqiptojmë gjoba. Një që e tillë ka ndodhur dje me njërin prej subjekteve politike dhe do të ndodhë me secilin subjekt politik për secilin tubim që e organizon brenda kryeqytetit”.

Ndërsa, Tahiri i ka parë me vend ankesat e qytetarëve dhe të gastronomëve të cilët thonë se nuk po trajtohen barabartë karshi politikanëve, ngase ai thotë se Inspekcioni i komunës nuk do të lejojë një diskriminim të tillë.

“Ankesat e tilla duhet të ju drejtohen atyre, se për shkak të ankesave edhe qytetarët edhe gastronomët kanë të drejtë sepse ligji duhet të vlejë njësojë për të gjithë dhe nuk mund të diskriminohen politikanët në këtë situatë dhe ne si Inspekcion i komunës nuk do të lejojmë diskriminim të tillë dhe për secilin tubim që organizohet brenda qytetit duke i shkelur masat ne do të ndërmarrë masa”.

Të ngjashme