Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur lidhur me raportimet për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti. Këtë e quajti konfidenciale dhe se nuk është dashur të bëhet publike, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, nuk është profesionalizëm që lajme të tilla të rrjedhin ne media.
“Unë nuk mendoi që duhet për interesa kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve tona të sigurisë e sidomos Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, pra kur kemi një varg kërcënime të tilla, kemi një varg institucionesh të cilat duhet të inkuadrohen është Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit janë njerëz të cilët duhet të inkuadrohen që të marrin masa që të mos kemi kërcënime të tilla. Demantimi nga Republika e Maqedonisë së Veriut ishte për keqardhje për institucionet tona nëse vërtetë ka pasur një lajm të tillë apo jo”, deklaroi Tahiri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai tha se kërcënime ka pasur edhe në të kaluarën ndaj liderëve shtetëror, por që janë ruajtur me profesionalizëm nga institucinet.
“Kërcënime të tilla për presidentin Thaçi ose kryeministrin e asaj kohe ka pasur jashtëzakonisht shumë dhe profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmin media, sepse atëherë nuk zbulohet asgjë. Ndjejë dhe shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë qoftë ndaj kryeministrit, qoftë ndaj cilido lider që ndodhë në vendin tonë. Edhe në të kaluarën jo shumë të largët, ka pasur kërcënime qoftë ndaj opozitës të cilët tashmë janë edhe në mbrojtje të Policisë së Kosovës, por vërtetë është për keqardhje brenda një periudhe disa orëshe me u demantua nga një shtet i cili ishte mikpritës i vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, andaj kjo është shumë e pahijshme”, tha Tahiri.