Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka mbajtur sot takim urgjent me Grupin punues qeveritar për Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit dhe revitalizimin e saj.
Në takim kanë marrë pjesë Rashit Qalaj, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dren Zeka, koordinator për funksionimin ligjor të komunave veriore dhe Gazmir Raci, koordinator i marrëveshjes së Brukselit për këtë çështje.
Ministrja Edita Tahiri në takim theksoi se ky takim urgjent ka për qëllim të trajtoj disa zhvillime më shqetësuese në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës që lidhen me ngritjen e një muri në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit si dhe masat ligjore që po ndërmerren nga qeveria për të ndaluar këtë ndërtim ilegal dhe për të mposhtur logjikën e mureve dhe barrikadave që janë në kundërshtim me Ligjet e Kosovës dhe standardet e BE-së për lëvizjen e lirë. Përfaqësuesit e institucioneve në këtë takim raportuan se që sot në mëngjes janë marrë masat e para, Policia e Kosovës ka inspektuar lokacionin ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dërguar inspektorët e urbanizmit në terren për të inspektuar zhvillimet, dhe raporti zyrtar pritet gjatë ditës
Në takim u dakordua plani i masave ligjore të Qeverisë për të ndaluar menjëherë ndërtimin e këtij muri dhe anulimin e çdo veprimi të mëtejshëm që bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.
Pas takimit ministrja për Dialog, Edita Tahiri dha këtë deklaratë për media:
Zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në lidhje me ndërtimin e një muri janë shumë zhvillime shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për gjendjen në atë pjesë të vendit tonë, duke cenuar gjithë arritjet e deritashme për të vendosur normalitet, stabilitet dhe rend. Ndërtimi i këtij muri është një veprim ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për revitalizimin e urës së Ibrit dhe si i tillë do të ndalet dhe rrënohet. Koha e mureve ka kaluar, është kohë e lëvizjes së lirë dhe heqja e barrikadës nga ura e Ibrit i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave. Ne nuk do lejojmë mure e barrikada të reja, sepse ato bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit. Qeveria e Kosovës do të veproj me forcën e ligjit për të ndalur punimet në atë pjesë të qytetit si dhe për të rrënuar këtë mur.
Mbrëmë kam njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian për këto zhvillime negative duke ia bërë me dije se këto ndërtime po bëhen në mënyrë ilegale, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit si dhe po realizohen nga strukturat paralele komunale të dirigjuara nga Serbia. Kam tërhequr vërejtjen se këto zhvillime janë destablizuese dhe se pakënaqësia dhe tensionet janë në ngritje, andaj duhen masa të shpejt ndaluese, sepse kjo mund të cenoj arritjet e deritashme të dialogut të Brukselit. Po ashtu, kam biseduar me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova së cilës ia ngrita këto shqetësime. Një delegacion i BE-së do të arrijë sot në Kosovë dhe kjo do të jetë tema kryesore e takimit tonë, theksoi ministrja Tahiri.