Ministrja për Dialog, Edita Tahiri me rastin e vënies së gur-themelit të pikëkalimit kufitar në Merdare tha se menaxhimi i kufijve sipas standardeve evropiane demonstron përkushtimin e shtetit tonë për integrime evropiane dhe euroatlantike.
Ajo tha se Republika e Kosovës është ndër shtetet e para të rajonit e cila ka vendosur dhe zbaton politikat e menaxhimit të integruar të kufijve, si një model i avancuar i kontrollit të kufijve, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe për një lëvizje më të lirë për njerëzit, idetë dhe mallrat.
“Ne po konsolidojmë standardet evropiane në fushën e kontrollit kufitar me gjithë shtetet fqinje, për të rritur sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Por edhe më shumë, ne po ndërtojmë vlera shtetërore, të qëndrueshme dhe moderne. Ne po bëjmë progres për të jetësuar vizionin tonë euroatlantik, prandaj presim mbështetjen e merituar për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera relevante”, tha Tahiri.
“Vënia e gur-themelit për ndërtimin e pikëkalimit të përhershëm kufitar këtu në Merdare, është dhurata jonë për ditëlindjen e nëntë të shtetit tonë të ri. Ky është një gur më shumë në themelet e shtetit, sovranitetit dhe prosperitetit. Ky është rezultat i dialogut të për fqinjësi të mirë dhe paqe që po e zhvillojmë në Bruksel. Është rezultat i Marrëveshjes së IBM-it me të cilën vendosëm kufijtë ndërshtetëror mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së fuqishme të SHBA-ve”, u shpreh Tahiri.