Tahiri premton konkurs “fer” për drejtor të IML-së

Prishtinë | 08 Mar 2018 | 10:16 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) do të jetë fer dhe i pa ndikuar politikisht, raporton Ekonomia Online.

Kështu tha ai gjatë vizitës që i bëri këtij institucioni bashkë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell dhe shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Tahiri u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë në konkursin, i cili është hapur për herë të tretë, për drejtor të këtij institucioni.

“Vizita jonë nuk është e rastësishme, dua t’i falënderoj edhe shefen e EULEX-it dhe ambasadorin për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës. Mjekësia Ligjore është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dua t’i falënderoj drejtorin dhe punëtorët për angazhimin e tyre”.

“Jemi të interesuar të nisim kapacitetet si ministër jam i interesuar për kuadro të reja. Ftoj të gjithë ata që mendojnë se i plotësojnë kushtet të aplikojnë. Konkursi do të jetë fer”.

Ambasadori O’Connell tha se rekrutimi i drejtorit të ri të Institutit është i rëndësishëm, raporton EO.

Sipas tij, kjo është dëshmi se Qeveria ka qenë e përkushtuar që të gjejë zgjidhje dhe rekrutimi të bëhet në bazë të meritës.

“Nuk mund të garantoj se do të jetë zgjedhja në bazë të meritës, por pasi ka dështuar dy herë ky proces të zhvillohet në bazë të meritës. Nëse në Kosovë do të ketë rekrutim në bazë të meritës, kjo është e ardhmja e Kosovës”.

Drejtori aktual i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha se Ambasada Britanike është aktive në procesin e të zhdukurve.

Ligji për Mjekësi Ligjore hyri në fuqi më 20 prill të vitit 2016. Me këtë ligj u krijua Instituti i Mjekësisë Ligjore (IFM) si organ qendror i administratës shtetërore, në varësi të Ministrisë të Drejtësisë. Instituti udhëhiqet nga Drejtori i Përgjithshëm.

Instituti është përgjegjës për kryerjen e këtyre aktiviteteve: autopsi mjeko ligjore;  ekzaminime mjeko ligjore klinike; Ekzaminimi i mostrave biologjike dhe ekzaminimet e tjera mjeko ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi; duke mirëmbajtur të dhënat e të gjitha rezultateve mjeko ligjore në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata ose Prokuroria e Shtetit; kërkimin, gjetjen, zhvarrosjen dhe përcaktimin e fatit, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të personave nga lufta në Kosovë; hulumtime profesionale, arsimore dhe shkencore në pajtim me ligjin.

Gjithashtu obligim ka mbajtjen e kontakteve me familjarët e personave të  zhdukur, bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe organizatave të përfshira në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Ky Institut është përgjegjës për të siguruar ekspertizë mjeko ligjore, hetime mjekësore mbi vdekjen përfshirë edhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të shkaktuar si pasojë e luftës në Kosovë dhe kthimin e mbetjeve mortore tek familjet e tyre.

Departamenti i Mjekësisë Ligjore ishte i themeluar me Ligjin për Departamentin e Mjekësisë Ligjore në qershor të viti 2009.

Të ngjashme