Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar në Komisionin për Legjislacion lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj, administratën e sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues që lidhen me Ligjin e Pagave, raporton Ekonomia Online.
Ministri Tahiri i ka hedhur poshtë deklaratat dhe kritikat se nuk janë plotësuar kërkesat e administratës së sistemit të drejtësisë.
Ai tha se për punëtorët që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është zgjidhur problemi i udhëtimit.
“Kjo ka qenë koha e duhur me iu përgjigj ftesës suaj për me pasë çka me diskutu, është e pavërtetë që thoni se nuk janë plotësuar kërkesat e administratës së sistemit të drejtësisë. Njerëzit që punojnë në Pallatin e Drejtësisë e kanë pasur problem udhëtimin sepse nuk ka pasur linja të rregullta për në atë pjesë, një pjesë e madhe e administratës që e shfrytëzojnë transportin urban tashmë e kanë falas udhëtimin deri tek Pallati i Drejtësisë që kap disa pika të linjave që dërgohen në Pallatin e Drejtësisë dhe pas përfundimit të punës kthen prapa”, tha ai.
Tahiri tha se me Ligjin e Ri të Pagave ka rritje, por jo në nivelin që janë kërkuar, sepse sipas tij ka diskriminim të gjyqësorit.
“Këtu ka diskriminim të madh me gjyqësorin, kemi nxjerrë një dispozitë që u siguron të marrin paga si trusti pensional. Ky ligj nuk reflekton pushtetet e barabarta që i garanton Kushtetuta e Kosovës dhe shpresoj se Avokati i Popullit do ta dërgoj tek Gjykata Kushtetuese sepse gjyqësori është diskriminuar me këtë ligj. Pagat nuk janë rritur për shërbimin korrektues siç kemi kërkuar sepse duhet të nivelizohet me Policinë”, tha Tahiri, raporton EO.
Kryesuesja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se dy kategoritë, shërbimi korrektues dhe administrata e sistemit gjyqësor janë lënë anash dhe me ligjin e pagave atyre nuk u plotësohen kërkesat dhe paga e tyre është diskriminuese.
“Paga e një zyrtari në administratën e sistemit të drejtësisë është 4-5 fish më e ulët se paga e gjyqtarit e prokurorit dhe si mundet me punu një person i tillë përderisa është i degraduar, ju është dashur ta bëni të pamundur që kërkesat e tyre t’i dërgoni tek ministri i Financave”, tha Haxhiu, raporton EO.
Tahiri tha se greva e administratës së sistemit të drejtësisë ka përfunduar për shkak të besimit që kanë ndaj tij dhe ministrisë që ai e drejton dhe se i janë plotësuar gjitha kërkesat e tyre.
“Ne i kemi përmbushur gjitha kërkesat e tyre deri në momentin që ka hyrë ligji në fuqi, unë jam ai që kam folur në emër të Qeverisë me ta edhe me ministrin e Financave, por si anëtar i Qeverisë sepse për çështjen e pagave janë dy ministra që janë duke i hartuar këto çështje. Jemi duke punuar me ligjin për shërbimin korrektues, shpresoj dhe po punojmë me Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Financave me punu në ligjin e pagave nëse nuk ndodh kjo duhet r amandamentuar ligjin, mendoj se mosdefinimi i saktë në ligjin e pagave na lë me rregullu çështjen për administratën e sistemit gjyqësor dhe shërbimin korrektues”, thotë Tahiri.
Deputetët e PDK-së, Xhevahire Izmaku dhe Hajdar Beqa u ankuan ndaj kryesueses Haxhiu që po merr një pjesë të madhe të kohës dhe se nuk po menaxhon siç duhet.
“Kërkoj nga grupi parlamentar i VV-së me e ndërru kryetaren e Komisionit sepse kryetarja e tanishme mendon se është në krye të nëndegës së partisë dhe nuk i pranon kritikat dhe komentet e të tjerëve, por e uzurpon 100% të kohës”, tha Izmaku, raporton EO.
Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, tha se ligji për paga ka karakter diskriminues dhe zhvatës për administratën e sistemit të drejtësisë.
Tahiri tha se në momentin që do filloj implementimi i ligjit të pagave as ai si ministër dhe disa kategoritë e sistemit të drejtësisë nuk do të jenë të kënaqur me renditjen e tyre.
Deputeti Korab Sejdiu, tha se është anomali e ministrit qe thotë se Ligji që e kanë kaluar vetë si partia më e madhe është antikushtetues.