Tahiri: Provokimet e Serbisë shtynë inaugurimin e urës mbi lumin Ibër

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 14:04 | Nga

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se zhvillimet negative të kohëve të fundit të nxitura nga Serbia në Kosovë kanë pasur për pasojë ndikimet në vonesat e zbatimit të marrëveshjeve, në veçanti të hapjes së urës së Ibrit, e cila pas revitalizimit që është bërë është dashur të hapet sot më 20 janar 2017.

Mirëpo sipas saj, zhvillimet negative dhe tensionimet kanë bërë që Bashkimi Evropian i cili është autorizuar të bëjë hapjen, ashtu siç e bëri edhe revitalizimin, siç u hoq edhe barrikada nga ura e Ibrit, ka shtyrë inaugurimin për arsyet e lartë përmendura.

Po ashtu sipas saj, edhe marrëveshja për drejtësinë e cila është dashur të zbatohet me datën 10 janar 2017, është duke u vonuar për arsye të këtyre zhvillimeve.

“Ju bëjmë me dije se të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë janë bërë nga ana e Kosovës dhe zbatimi ka qenë i mundur sipas datës së paraparë, mirëpo, edhe ky proces i vonesave duhet parë në kontekstin e tensionimeve të fundit”, tha ajo.

Ministrja Tahiri deklaroi se javëve të fundit, Serbia ka bërë provokime të njëpasnjëshme me qëllim të destabilizimit të situatës në Kosovë dhe rajon dhe provokimet kanë qenë edhe të përmasave dramatike që përbejnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Këto destruksione të Serbisë përfshijnë: rastin e trenit ilegal, i cili u ndalua nga shteti i Kosovës, më herët kemi pasur provokimin me murin ilegal i cili do të hiqet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Rezolutës së Kuvendit të Kosovës. Ishte poashtu sulmi me bomba kundër shtrirjes së institucioneve të shtetit të Kosovës në komunat veriore, me rastin e inaugurimit të tyre nga Ministria e Dialogut më 28 dhjetor 2016, si dhe fletarrestet ndaj luftëtarëve të UÇK-së, më këtë rast të Ramush Haradinaj.

“Bashkimi Evropian si ndërmjetëse e procesit të dialogut është duke bërë përpjekjet maksimale për të larguar tensionet dhe për t’i hap rrugë vazhdimit të zbatimit të marrëveshjeve dhe për këto përpjekje opinioni publik do të njoftohet në vazhdimësi, në mënyrë që sa më parë të normalizohet procesi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve”, ka thënë ajo.

Dialogu i Brukselit ka rëndësi të madhe sepse po mundëson shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, integrimin e minoritetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës, por edhe më shumë se kaq, dialogu i Brukselit ka kontribuar dhe po kontribuon për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe si dëshmi për këtë është Marrëveshja për Stabilizim-Asociim që faktikisht i mundësoi Kosovës që të hyjë në rrugën zyrtare të integrimit evropian dhe për të cilën votuan edhe pesë vendet jo-njohëse, sepse Kosova dëshmoi se është një shtet me vizion euroatlantik dhe promotore e paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon”, ka shtuar Tahiri.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme