Shefi i grupit parlamentar të PDK, Abelard Tahiri tha se thirrja e një seance të tillë nga grupet e opozitës është përgjegjshmëri karshi situatës ndërsa papërgjegjshmëri e kryeministrit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë, pasi sipas tij shtrenjtimi i rrymës do ta prekë pjesën më të madhe të qytetarëve. Për këtë, ai ka ftuar grupet parlamentare në Kuvend që ta votojnë rezolutën që i pamundëson ZRRE-së t’i rrisë çmimet e energjisë.
“Thirrja e një seancë për situatën energjetike nga grupet e opozitës tregon përgjegjshmëri karshi situatës por papërgjegjshmëri të kryeministrit. Ai nuk e gjen vullnetin me qenë në seancë. Për 20 vjet qytetarët e kanë paguar më së miri energjinë dhe më së liri. Këtë vit është paralajmëruar shumëfishim të energjisë elektrike. U dashtë m’u ndal rryma për mu dhez qeveria. Na dhanë alternativën për shtrenjtim dhe e dyta reduktimet. Asnjëra prej alternativave nuk janë të pranueshme për qytetarë. kryeministri po e shtrenjton energjinë 100%. 69% e qytetarëve u është rritur çmimi 100 për qind. Shtrenjtimi energjisë është i papranueshëm. Zgjidhjen nuk mund ta bëni në dëm të qytetarëve. Ky 100 për qind nuk është shifër por përkthehet në para ky qytetari e ka vështirë të paguajë. Me këtë qeverisje qytetarët do ta paguajnë energjinë më së shtrenjti në Evropë”, ka thënë Tahiri, teksa ka ftuar partitë tjera ta miratojnë këtë rezolutë që do të pamundësojë rritjen e çmimit të energjisë.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme po diskutohet për propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike.