Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, përmes një konference për media ka thënë se është e papranueshme kjo qasje e mazhorancës, që përkundër kërkesave të shumta të opozitës, po e trajton në këtë formë, pa respekt e ndjeshmëri çështjen e përcaktimit të pagës miniale dhe veteranët e UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se PDK-ja do të përdorë çfarëdo mjeti i cili është demokratik për ta penguar këtë nismë ligjore.
“Çështja e pagës minimale të mos trajtohet kështu siç është, duke lënë kështu anash veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, edhe sot e kësaj dite ende kemi një tendencë të tyre që pikërisht të shkohet duke i përjashtuar veteranët e UÇK-së. Prandaj, ne si PDK, do të përdorim çdo mjet demokratik që të mos lejojmë që ky ligj të miratohet. Ne duam të arrijmë në një konsensus së bashku me Ministrinë e Financave që ta trajtojmë çështjen e veteranve të UÇK-së me dinjitet. Kjo është kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë, që i ka dhënë më së shumti vendit, çlirimit dhe pavarësisë, prandaj, sot, të lihen anash në një formë të tillë, me ligjin për përcaktimin e pagës minimale është e papranueshme”, ka thënë Tahiri.
“Për ne është e pabesueshme se si kemi ardhur në këtë diskutim të tillë, për të diskutuar për kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë tonë, veteranët e luftës, që sot ti lëmë anash ngat një ligj i cili përcakton pagën minimale dhe i diskriminon ata. Kjo është e papranueshme. Ky projektligj nuk duhet të kaloj as në leximin e parë as në leximin e dytë“, ka thënë Tahiri.
Më tej, ai ka thënë se kjo Qeveri përmes qeverisjes së keqe ka shkaktuar krizë të thellë dhe të rrezikshme në të gjitha kategoritë e shoqërisë.
“Kjo Qeveri tashmë ka krijuar një situatë të rrezikshme në mesin e popullit. Ju e shihni një pakënaqësi të madhe në të gjitha kategoritë e shoqërisë. Prej atyre që realisht janë me skema sociale, që janë të papunë, e deri te punëtorët e secilës kategori, në publik apo privat. Këtë situatë të rrezikshme me mosveprim e ka krijuar Qeveria e Kosovës. Prandaj, kjo krizë e ka vetëm një adresë – Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Tahiri.