Koordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka rikthyer në diskutim çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke dhënë tri sqarime nga ana e tij.
Ka thënë se këto ditë është përfolur shumë për këtë çështje, rreth themelimit dhe fuqisë së këtij institucioni.
Tahiri ka thënë se si pikë e parë, në Kosovë, të gjitha institucionet e shtetit e kanë për obligim të marrin për bazë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. “Si rrjedhojë, Statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit”, ka thënë Tahiri.
E dyta, sipas tij, është ajo se askund në botë nuk ka një praktikë që Asociacioni i Komunave të ketë përgjegjësi mbi arsimin e lartë apo fushave tjera vitale.
“Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë nga Beogradi është një lojë që për qëllim ka ta paraqet Kosovën keq para faktorit ndërkombëtar e pse jo edhe ta shtyjë themelimin e këtij Asociacioni me synim që të nxitë ndonjë projekt tjetër politik”, ka thënë ai.
“E treta, sa i përket funksionimit dhe organizimit të qeverisjes lokale në përgjithësi, e me theks tek asociacionet e komunave, definitivisht Serbia nuk ka as shembuj e as praktika të mira në këtë fushë. Atje edhe më tutje komunat nuk kanë ndonjë rol në fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejt, autonomisë fiskale e as në aspektet e shërbimeve dhe atyre zhvillimore”, ka thënë tutje Tahiri.
Krejt në fund, Tahiri ka shtuar se “logjika e Asociacionit nuk është streh nacionalizmi, por instrument për demokratizim dhe integrim”.