Serbia nuk është e interesuar që ta ndajë Kosovën, por përmes veriut dëshiron të krijojë vetëm situata destabilizuese. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisjes Lokale (KLGI), Besnik Tahiri.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai thotë se Serbia e mban në kontroll veriun në bazë të strukturave paralele për ta dobësuar Kosovën dhe ta paraqet si shtet të dështuar para Brukselit.
“Sipas mendimit tim Serbia nuk e do ndarjen e Kosovës, nuk e do një territor të cilin veç e ka në kontroll. Shteti serb e ka veriun e Kosovës në kontroll në bazë të strukturave paralele ajo donë ta dobësojë Kosovën dhe ta paraqes si shtet të dështuar edhe në negociata në Bruksel, por nuk ka tendencë të ndarjes së Kosovës, por ka tendencë që në negociata gjithmonë të përfitojë për qëllimet e veta, ku di unë, për një mur, apo për një tren, apo për një çështje banale. Ne duhet të bëjmë të pamundurën që të integrojmë atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai gjithashtu ka thënë se qe 17 vjet pas luftës Kosova ka dështuar në procesin e integrimit të veriut të Mitrovicës.
Tahiri thotë se në atë pjesë janë disa institucione që funksionojnë si: Policia, Dogana, mirëpo shërbimet vitale për qytetarët e veriut si në arsim shëndetësi, infrastrukturë e shërbime tjera janë të kontrolluara prej strukturave paralele.
“Tani çka të bëjmë, jemi 17 vjet pas luftës dhe ende veriu nuk është i integruar. Unë mendoj se duhet bërë një strategji e investimeve dhe shërbimeve në kë të pjesë të Kosovës. Rikthimi i veriut me konflikt, apo me mjete të cilat nuk janë shërbime dhe investime kapitale janë të pamundshme e vetmja mënyrë nëse shërbimet e shtetit i bëjmë të mira dhe gradualisht kyçe. Dhe mendoj që në atë pjesë Kosova ka dështuar. Për rikthim të asaj pjese duhet bërë një strategji, dhe kur them strategji dikush që e njeh mirë fushën…”, ka thënë ai.
Intervista e plotë publikohet nesër (e mërkure), në të cilën Tahiri ka folur për zhvillimin e komunave, Ligjin për Prishtinën, decentralizimin e çështje tjera.