Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha se njohja nga Serbia Kosovës duhet t’i vijë në fund të dialogut të Brukselit. Duke folur në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që iu kushtua dialogut Prishtinë-Beograd-lëvizjes përtej rrugëve të bllokuara, ministrja pa portofol Edita Tahiri tha se njohja duhet të vijë në fund të këtij dialogu, ashtu […]
Tahiri: Serbia do të na njohë në fund

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha se njohja nga Serbia Kosovës duhet t’i vijë në fund të dialogut të Brukselit.
Duke folur në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që iu kushtua dialogut Prishtinë-Beograd-lëvizjes përtej rrugëve të bllokuara, ministrja pa portofol Edita Tahiri tha se njohja duhet të vijë në fund të këtij dialogu, ashtu si paqja në fund të luftës.
“Ne e konsiderojmë këtë dialog si dialog për fqinjësi të mirë dhe vlera e tij lidhet me aspiratën tonë euroatlantike e përkushtimin tonë për stabilitet dhe me vizionin që pas luftës vie paqja. Kjo paqe nënkupton qe në fund te dialogut duhet të ndodhë njohja mes dy shteteve. Çështje kryesore, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, bazë për krijimin e marrëdhënieve paqësore mes dy popujve,” tha Tahiri.
Ajo deklaroi se dialogu i Brukselit po jep rezultate.
“Dialogu i Brukselit ka dhanë rezultate mjaft të randësishme, madje rezultate historike,” tha Tahiri, duke i argumentuar këto fjalë me faktin se Kosova e Serbia biseduan dy herë në Rambuje në vitin 1999 dhe në Vjenë në vitet 2006-2007, por atëherë sipas saj Serbia nuk nënshkroi ato marrëveshje.
“E ky dialog që po zhvillohet edhe sot rezultoi në nënshkrim të marrëveshjeve,” tha Tahiri.
Ministrja për Dialog tha se integrimi i vendeve të Ballkanit në BE duhet të përshpejtohet.
“Ka disa faktorë që nuk e kanë të qartë çështjen e vizionit euroatlantik, Qeveria e Kosovës mendon që BE-ja duhet të përshpejtojë procedurat e integrimit për vendet e Ballkanit, e kështu do të krijohej stabilitet,” tha Tahiri.











