Pas sulmit të mbrëmshëm me bombë ndaj objektit të zyrave të Qeverisë në Mitrovicën e veriut të inauguruara më 28 dhjetor 2016, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit, ministrja për Dialog, Edita Tahiri iu ka drejtuar menjëherë mbrëmë Bashkimit Evropian me një letër për të kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë për ndaljen e destruksioneve të Serbisë ndaj Kosovës.
Ajo ka theksuar se zhvillimet negative në javët e fundit, kanë për qëllim provokimin e ndonjë destabilizimi të situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Tahiri kërkon nga BE-ja që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë tek pala serbe që të qëndrojë në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përndryshe, pasojat do të jenë të paparashikueshme.
Letra plotë e ministres Tahiri:
Sonte pati një tjetër sulm me bombë kundër ndërtesës së Qeverisë në Mitrovicën veriore, ku ish-anëtarët e “mbrojtjes civile” janë të punësuar si shërbyes civil, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e “mbrojtjes civile” të datës 26 mars 2015 të nënshkruar nga të gjitha palët.
Unë rregullisht ju kam informuar juve, BE-në, për një seri zhvillimesh negative në javët e fundit, të cilat kanë për qëllim provokimin e ndonjë destabilizimi të situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Për mendimin tim, duket se Serbia është duke u tërhequr nga dialogu dhe po i kthehet mendësisë së vjetër, ngase po shkon kundër marrëveshjeve që vetë i ka nënshkruar, madje me bomba, mure, arrestime arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, etj.
Duke qenë se jemi duke u përgatitur për ecjen tutje në zbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë, po pyetem a thua se çfarë mjete do të përdoren kundër saj?
Kërkoj nga BE-ja që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë tek pala serbe që të qëndroj në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përndryshe, pasojat do të jenë të paparashikueshme.
Së fundi, madje edhe diskursi politik i Serbisë ka eskaluar nga niveli më i lartë, ndërkohë që Milorad Dodik është bërë një zëdhënës për skenarët e ndryshimit të kufijve.
Duke e pasur parasysh përkushtimin e BE-së jo vetëm për t’i stabilizuar rezultatet e arritura në dialog, por edhe për t’i përparuar ato më tutje për hir të paqes dhe marrëdhënieve ndër fqinjësorë në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, unë besoj se ju jeni duke punuar për përmirësime.
Jam në pritje të përgjigjes nga ju sa më shpejt që është e mundur.
Pas dërgimit të kësaj letre tek BE-ja, menjëherë mbrëmë pas sulmit me bombë ndaj zyrave të Qeverisë në veri, ministrja Edita Tahiri, deklaroi se përgjigja e BE-së ka qenë e menjëhershme dhe në të cilën ata kanë theksuar se BE-ja është e përqendruar seriozisht në këtë çështje dhe se zhvillimet negative duhet të ndalen.