Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se çështja e ngritjes së çmimeve të energjisë nuk duhet të ndodhë, raporton Ekonomia Online.
Tahiri njoftoi se sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ndërsa edhe ditëve pasuese deputetët do të mblidhen në Kuvend për seanca të tjera.
Tutje, ai ka thënë se ngritja e çmimit nuk do ta lejojnë të ndodhë.
“Seanca e sotme nuk është se kush kënd po e kritikon më shumë, por një seancë e reflektimit dhe ta vendosin gishtin në kohë. Ky shtrenjtim nuk do të ndodh për një muaj. Vërtetë e bëri kiametin me çmimet që po i rritë. S’ka logjikë që qytetari i Kosovës, ai që shpenzon 800 kw energji të paguajë si ai në Paris a në vende të tjera të Evropës. S’ka logjikë mbi 50 për qind të qytetarëve shpenzojnë mbi 800 kw. Gjendja sociale në Kosovë nuk është e mirë për ata që janë në punë, e lërë më për ata me gjendje sociale. Jemi të gëzuar që opozita i ka vendosur nënshkrimet për një debat të tillë, seanca e sotme s’është kush po e mund kë me fjalime”, ka thënë Tahiri
“Ne do të marrim veprime shumë konkrete, asnjë politkë nuk po bëjmë por po mundohemi ta ngrisim vetëdijen e Qeverisë dhe ZRRE-së, ne po duam që kjo tarifë të mos ndodhë, do të shkojmë me të gjitha metodat rend me rend. Po i themi reflekto”, ka thënë Tahiri.
“Kosovën e Re nuk po e don, Countur Globalin nuk po e don, kënd tjetër po e don, ngritjen e çmimit a. Ka ardhë në pushtet me fjalët “krejt hajna, çmimet shtrenjtë”, e tash po vepron njëjtë”, ka thënë tutje ai.
Tahiri ka paralajmëruar një javë të ngjeshur me seanca parlamentare pasi sipas tij, Kuvendi deri më tani ka qenë në pauzë.