Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti në takim një delegacion të Universitetit “Sylejman Demirel” nga qyteti i Isparta në Turqi, të kryesuar nga prof. dr. Haluk Songur, dekan i Fakultetit Juridik dhe drejtor për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe programin ERASMUS dhe Yunus Embre Akbay, zëvendës koordinator për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe programin ERASMUS.
Në takim u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit në fushën akademike dhe krijimi i gjeneratave të reja me shkollim cilësor. “Interesimin tuaj për shkollimin e kuadrove të Kosovës në disa fusha të rëndësishme dhe për mundësinë që ofron ky universitet e presim me mirënjohje”, deklaroi ministrja Tahiri.
Nga ana e tij, Haluk Songur, theksoi se Universiteti “Sylejman Demirel” këtë vit ka ofruar mundësinë e shkollimit edhe për studentët nga Kosova. I themeluar në vitin 1992, SDU po përpiqet për përsosmëri në çdo fushë të jetës akademike dhe ofron gamë të gjerë të studimeve dhe shërbimeve për hulumtim dhe zhvillim, me staf akademik cilësor.
Ministrja Edita Tahiri, tha se e vlerëson emrin e Universitetit për shkak se ish Presidenti turk Sylejman Demirel ka qenë mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast ajo evokoi kujtime kur në cilësinë ministres së Jashtme të Kosovës ishte takuar me Presidentin e Turqisë, Sylejman Demirel në mars të vitit 1998, në Stamboll, me ç’ rast Presidenti Demirel kishte shprehur përkrahjen e fuqishme të Turqisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe kishte siguruar që Turqia do të jetë pjesë e planeve të NATO-s, për ndaljen e luftës në Kosovë.