Ministër i Drejtësisë (MD) Abelard Tahiri, tha se kjo ministri ka arritur që të zbatojë 60 për qind të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), raporton Ekonomia Online.
Tahiri gjatë raportimit në komisioni për Integrim Evropian për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), shtoi se një pjesë e masave nuk varen nga kjo ministri.
“Ministria e drejtësisë ka arritur mbi 60 të implementimit të Planit Kombëtarë në kuadër të MSA-së. Një pjesë e tyre nuk varen direkt nga ministria e Drejtësisë”.
Ministria e Drejtësisë është përballur edhe me disa sfida gjatë vitit të kaluar. Sipas Tahirit sfidë ka qenë Instituti i Mjekësisë Ligjore ku ka pasur mungesë të drejtorit 6 muaj rresht.
“Ku kemi hasë ngecje ka qenë Instituti i Mjekësisë Ligjore pasi aty konkursi për drejtor të ri është përsëritur 6 herë”.
Tjetër sfidë Tahiri përmendi mungesën e hapësirës në Qendrat Korrektuese, një nga to edhe atë të Dubravës.
Por sipas tij, kjo çështje nuk do jetë pengesë më pasi që ka filluar edhe riorganizimi i këtyre qendrave.
“Shërbimi korrektues ka qenë një sfidë e tashmë po e bëjmë riorganizimin konfrom BE-së. Një prej sfidave ka qenë qendra korrektuese e burgut të Dubravës. Jemi duke e rritë kapacitetin më qendrën korrektuese në qendrën e Gjilanit. Në përgjithësi këto kanë qenë të arriturat tona.
Si ministri kemi marrë obligime për zbatimin e 3 ligjeve, si Ligji për Prokurorin e Shtetit, Ligjin për Parandalimi e Konfliktit të Interesit dhe koncept dokumenti për vepër penale për zyrtarët publikë”.
“Kërkesa e BE ka qenë që të ketë një ligj të veçantë për suspendimin e zyrtarëve publik nëse ka pasë një vepër të tilla”.