Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri e ka marrë me seriozitet një postim në facebook të gazetarit Bajrush Morina, i cili ka thënë se një deputet i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij janë përgjegjës për vrasjen e aktivistit të LDK-së, Enver Maloku.
Menjëherë pas këtij postimi, Tahiri ka thirrur në telefon kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezin dhe ka kërkuar nga ai që të merret me deklaratën e Morinës.
Ministri i Drejtësisë, siç merr vesh Gazeta Express, ka qenë i prerë me kryeprokurorin Lumezi, duke kërkuar nga ai që t’i shkohet deri në fund këtyre pretendimeve të Morinës, pa anashkaluar as ndëshkimet për ata që akuzojnë pa argumente.
Me rastin e përvjetorit të 19-të të vrasjes së veprimtarit të LDK-së dhe gazetarit Enver Maloku, Morina pretendon se personat që kanë vrarë Malokun në vitin 1999 janë një deputet i Kuvendit të Kosovës dhe bashkëshortja e tij.