Kosova e ka të nevojshme ri-mendimin dhe rishikimin e sistemit të pushtetit lokal dhe se anëtarët e grupit tematik duhet të jenë drejtpërdrejtë në identifikimin e nevojave dhe sfidave të pushtetit lokal.
Andaj, ekziston nevoja për prodhimin e sygjerimeve dhe rekomandimeve për institucionet kyçe, si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Parlamenti.
Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri, në një tryezë titulluar “Administrata dhe Reforma” të organizuar nga KLGI.
Instituti KLGI me mbështetjen e Ambasadës Norvegjeze ka nisur një fazë të re të angazhimit të fokusuar sektorial, nëpërmjet programit LGA – Empower që ka për qëllim fuqizimin e rrjetit të akademisë dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.
Në këtë takim u caktuan objektivat dhe agjenda e përbashkët duke përfshirë dhe qasjen që duhet ndjekur gjatë punës në grupet tematike.
Gjatë këtij takimi u pasqyruan objektivat që do të arrihen përmes këtyre grupeve punuese, të cilat janë: Zvogëlimi i paqartësive ligjore; standardizimi i shërbimeve, procedurave dhe politikave (harta e procedurave dhe dokumentacionit), kontraktimi i shërbimeve dhe bashkëpunimi ndër-komunal, koordinimi i programeve trajnuese në mes Institucioneve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare; praktikat rajonale dhe inovacioni.
Në një diskutim të përgjithshëm të aspekteve që lidhen me administratën dhe reformën u theksua se kemi një korpus të madh të shërbyesve civil dhe se kapacitet vazhdojnë të mbesin të mangëta. Problematikë tjetër po ashtu mbetet ende komplikimi i procedurave dhe paqartësitë ligjore, ndërkaq aspekti i vlerësimit dhe kontrollit mbeten ende tejet të mangëta.
Po ashtu u diskutua edhe lidhur me mbingarkesat e stafit ku si pasojë e kësaj buxhetet komunale, apo investimet kapitale po dëmtohen në masë të madhe. Mirëpo, pavarësisht kësaj u tha se edhe vetë procesi i reformës duhet të jetë i kujdesshëm duke pasur parasyshë gjendjen socio-ekonimike.
Programi LGA – Empower në fazën e parë nëpërmjet grupeve tematike synon të angazhohet në diskutime të fokusuara, avokim dhe adresim të politikave dhe programe të qëndrueshme sektoriale, në avancimin e politikave funksionale, ofrimin e rekomandimeve dhe opsioneve për akterët që angazhohen në nivelin lokal.
Ndërkaq, faza tjetër ka të bëjë me fasilitimin e ekspertëve për grupet tematike, në hartimin e politikave dhe programe të qëndrueshme për nivelin lokal.
Programi LGA – Empower, është derivat i programit LGA, e që për synim ka angazhimin e drejtpërdrejt të udhëheqësve dhe zyrtarëve komunalë, ekspertëve, përfaqësuese të nivelit qendror dhe shoqërisë civile në ndërtimin e programeve dhe politikave të qëndrueshme për nivelin lokal.