Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, për shkak se e kanë kundërshtuar procesin e deritanishëm të Kosovës.
Këto deklarata Tahiri i bëri gjatë debatit parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.
“Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj nuk bën dhe nuk duhet me qenë pjesë e dialogut, sepse e ka luftu çdo proces të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Është mendim i jemi që mendoj do ta mbrojë fuqishëm. Për këtë arsye qëndroni në pozicionet e juja qysh keni qenë për dialogun, qëndroni në luftimin e rendit kushtetues dhe pikërisht për këtë arsye qëndroni në fjalët e juaja”.
Kreu i MD-së ka thënë që adresa më e rëndësishme politike e ndërkombëtarëve është presidenti Hashim Thaçi, raporton EO.
“Mendoj që adresa më e rëndësishme politike e Uashingtonit në këtë vend është presidenti Thaçi. Thaçi në asnjë takim ku është taku ne presidentin Vuçiq nuk ka shku në krye në veti, ka shku me një ftesë”.
Tahiri ka thënë se një ndër marrëveshjet më të suksesshme me Serbinë është integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë.
“Nëse është një çështje që dialogu ka pas sukses, ky proces teknik është marrëveshja për drejtësi. Në marrëveshjen për drejtësi është bërë integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra janë këta gjyqtarë dhe prokurorë serbë shtetas të shtetit të Kosovës të cilët janë betuar para presidentit Thaçi për punën e tyre”.
Ministri pati një porosi edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Ndërsa sa i përket LDK-së, mendoj se këta i kanë disa nënkryetarë që i kanë disa ide të ndryshme, disa projekte të ndryshme. Njëri e mbron shkëmbimin e territoreve, tjetri e mbron tërësinë territoriale. Mirë është që ju me ardhë me një qëndrim para këtij procesi, pastaj flasim se si të vazhdojmë më tutje”.
Mirëpo lidhur me deklarimet e ministrit të Drejtësisë reagoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se është e papranueshne që një ministër i Drejtësisë ta marrë rolin e “një militanti të Hashim Thaçit”.
Sipas Haxhiut, ministrin e Drejtësisë duhet ta shqetësojë fakti që gjyqtarët dhe prokurorët serbë i kanë vënë nënshkrimet e tyre në një dokument në të cilën thuhet Kosova dhe Metohi.
“E para, për Grupin parlamentar të Vetëvendosjes është e papranueshme që një ministër i Drejtësisë e merr rolin në foltoren e Kuvendit të një militanti të Hashim Thaçit. Ky zotëri që sapo foli këtu ia ka mbajtë çantën deri vonë Hashim Thaçit. Unë të kuptoj pse ju jeni i frustruar, mirëpo nuk është në rregull që në mungesë të argumenteve të shpifni për VV-në”.
“Është e pavërtetë që dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë njësoj si dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës që janë dekretura ndër vite radhazi. Ata nuk e kanë vendosë firmën në dokument që shkruan Republika e Kosovës dhe ju si ministër i Drejtësisë do të duhej të ju shqetësonte ky raport, për shkak se po mohohet shtetësia. Nëse gjyqtarët që po i quan janë integruar vendosin vulën Kosova dhe Metohi kjo duhet të shqetësojë, jo veprimet e Vetëvendosjes që po i keqinterpretoni e po shpifni për ta”.
Mirëpo për këtë çështje reagoi Abelard Tahiri.
Ai siguroi që gjyqtarët dhe prokurorët serbë punojnë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Ju siguroj që ata punojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.