Tahiri zotohet për të krijuar qasje më të lehtë në drejtësi për bizneset

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 16:14 | Nga

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, respektivisht me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka vazhduar sot në Prizren kampanjën “Drejtësia dhe biznesi”, në një tryezë me shumë përfaqësues të bizneseve nga ky rajon.

Ministri Tahiri ka theksuar se kjo kampanjë është ndërmarrë për t’u konsultuar me bizneset lidhur me çështje që ndërlidhen me drejtësinë dhe fushën e biznesit.

“Tashmë kemi bërë përmirësime pozitive me funksionalizimin e profesioneve të lira, të cilat bashkë me masat tjera e kanë ngritur Kosovën shumë më lartë në indeksin e të bërit biznes. Bashkërisht mëtojmë që edhe më tutje të punojmë në drejtim të ofrimit të shërbimeve më të mira për bizneset, hapjes së mëtejshme të institucioneve dhe krijimit të një qasje më të lehtë në drejtësi për bizneset” ka thënë Ministri Tahiri.

 Ministri Tahiri ka kërkuar nga përfaqësuesit e bizneseve që të jenë aktiv në dhënien e komenteve në politikat e reja që po harton Ministria e Drejtësisë, pasi, sipas tij, këto ndryshime do t’i japin një dimension tjetër zhvillimit ekonomik në Kosovë.

 “Ministria e Drejtësisë është duke bërë reforma të thella në legjislacioni në fusha të ndryshme që në një mënyrë apo tjetër e prek edhe fushën e biznesit. Kjo do t’i jep një dimension tjetër zhvillimit ekonomik në Kosovë. Prandaj, ftoj që bizneset të jenë aktive dhe të përcjellin kampanjën tonë “Drejtësia dhe Biznesi” e cila po zhvillohet në disa rajone të Kosovës” ka thënë Ministri Tahiri.

Të ngjashme