Takim në kohë tensionesh

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 08:22 | Nga

Siria, Ukraina, Koreja e Veriut, ndërhyrja e supozuar e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, përpjekjet e Rusisë për të ndarë Evropën, sanksionet dhe kundër-sanksionet, piraterimi dhe sulmet kibernetike…

Janë një mori çështjesh që kërkojnë vend në agjendën e takimit të parë midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në margjina të samitit të G20-ës (grupit të vendeve më të industrializuara), më 7 korrik, në Hamburg të Gjermanisë.

Dy liderët kanë folur përmes telefonit së paku dy herë prejse Trump ka marrë detyrën.

Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, H.R. McMaster, ka thënë më 29 qershor se “nuk ka agjendë specifike për takimin” dhe se presidenti do të flasë për çfarëdo që dëshiron.

Të njëjtën ditë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se në agjendë do të jenë përpjekjet për normalizim të dialogut.

Edhe pse Trump, gjatë fushatës, ka shprehur gatishmërinë e tij për marrëdhënie më të afërta me Kremlinin, takimi në Hamburg vjen në kohën kur marrëdhëniet dypalëshe janë në pikën më të ulët. Rusia mohon se ka ndërhyrë në zgjedhjet që e kanë sjellë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, por inteligjenca amerikane ka konstatuar se Moska e ka bërë një gjë të tillë.

“Marrëdhëniet padyshim se janë më të këqija sesa në fund të administratës Obama, për shkak të ndërhyrjes në zgjedhje”, thotë Angela Stent, ish-zyrtare e inteligjencës amerikane për Rusinë dhe Euroazinë.

Sipas saj, takimi është i rëndësishëm për Putinin, pasi kontaktet në nivel presidencial gati se nuk kanë ekzistuar në vitet e fundit të presidencës së Barack Obamës.

Kundërthëniet e vazhdueshme në ShBA për lidhjet e mundshme midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe agjentëve rusë mund t’i lidhin duart e të dy presidentëve, thonë analistët.

Disa komisione të Kongresit po i hetojnë këto lidhje. FBI po ashtu. Presidenti Trump e ka shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë ka emëruar një këshilltar të posaçëm për t’i mbikëqyrur hetimet.

Kadri Liik, bashkëpunëtore e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se atmosfera e tensionuar mund të jetë përcaktuese.

“Në botën perëndimore, ka shumë spekulime paranojake për një ‘Jalta të re’”, thotë Liik, duke iu referuar konferencës së Jaltës më 1945, e cila ka mbledhur kryetarët e qeverive të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Sovjetik, për të diskutuar riorganizimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Skandalet rreth Rusisë gjithashtu kufizojnë Trumpin, thotë Stephen Blank, specialist për Rusinë në Këshillin Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë.

Këshilltari i parë i Trumpit për siguri kombëtare, Michael Flynn, është shkarkuar pasi ai ka keqinformuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë për kontaktet e tij me zyrtarët rusë. Prokurori i përgjithshëm i Trumpit, Jeff Sessions, është po ashtu nën hetime për arsye të ngjashme.

“Shpresoj se Trump do t’i thotë Putinit se do të paguajë çmim serioz për ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA dhe nëse do dialog me SHBA-në, duhen bërë disa gjëra: për shembull, të respektohetMarrëveshja e Minskut (për paqe në Ukrainë), të ndalojnë përpjekjet për nxtjen e luftës në Evropën perëndimore e kështu me radhë. Sepse, tash për tash, nuk ka bazë për dialog”, thotë Blank.

Ish-zyrtarja e inteligjencës amerikane, Angela Stent, nuk beson se Trump dhe Putin do të dalin me ndonjë marrëveshje për Ukrainën. Sipas saj, publikut amerikan do t’i interesojë nëse Trump e ngre çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje ose jo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme