Takimet e kosovarëve me “sheikët” e Arabisë Saudite

Prishtinë | 03 Mar 2024 | 00:31 | Nga Shenoll Muharremi

Oda Ekonomike e Kosovës kishte bërë përpjekje maksimale me organizu takimin mes bizneset të Kosovës dhe atyre nga Arabia Saudite. Investimet e huaja direkte janë tepër strategjike për Kosovën, për shkak se ne nuk kemi ndonjë resurs në dispozicion (si psh deti apo naftë) për zhvillim brenda. Kapitali duhet të vie sidomos nga jashtë, por për realizu këtë, fillimisht duhet të krijojmë kushte të mira dhe të bëhemi atraktiv për shkak se investitorët e kanë gjithë botën me dispozicion, e globalisht ka shumë vende atraktive për investime.

Prezentimet e Kosovës ishin kryesisht të anshme. Statistika ku tregohet vetëm disa përparësi, por që në realitet, për fat të keq, nuk kanë shumë efekte apo incentive ekonomike praktike, sidomos kur e krahason me vendet tjera. Psh thuhet ‘e kemi popullatë më të re në Europë”. Por nëse kemi sistem arsimor të keq, kjo është më shumë një ngarkesë sesa përparësi. “Kemi taksa të ulta”… ok, por nëse nuk ke ekosistem të duhur apo nëse nuk funksionon sundimi i ligjit, nuk vlenë shumë ky argument se të del një dreq e gjysmë operacioni ekonomik. Kosovarët tentuan me u paraqitë mirë, por nuk dolëm bindës. Një mik i imi amerikan pyeste “nëse jemi kaq të mirë e mençur (sikur prezentimet që aludonin), pse jemi kaq të varfur apo me ekonomi kaq të vogël, modeste apo bazike?”.

Një gjë që vërehej ishte që zyrtarët dhe bizneset e Arabisë Saudite ishin shumë të përgatitur. Për ironi, në Kosovë ata shifeshin si një ‘fabrikë e mundësive dhe parave pa fund’ por ata kishin ardhur në Kosovë (dhe po shkonin në vende tjera) me gjetë investitorë për vendin dhe ekonominë e tyre. Strategjia e tyre ishte të diversifikojnë ekonominë dhe të largojnë mvarshmërinë nga nafta për dekadat e ardhshme. Kështuqë, përderisa Kosovarët prisnin ‘me kap diçka nga sheikët’ ata ishin këtu me marrë dicka prej Kosovës.

Kjo ishte një real-economics në aktin më të mirë të mundshëm. Prezentimet e tyre ishin shumë profesionale. “Duhet të rrisim tregtinë, vëllimi aktual është vetëm 1.3 milion tha njëri”. Por gjatë takimeve, bizneset e tyre ishin përgatitur të vërshojnë tregun e Kosovës me produktet e tyre. Kjo është storia e Kosovës, kur nuk ke ekonomi konkurruese, bëhesh një vend që importon. Edhe kur i ke sheikët në sallë e shtëpi, përfundon jo si përfitues por si treg. Kjo është dicka dhe një situatë ku Kosova duhet të mësoj shumë..

Mbi të gjitha, nuk kishte asnjë përfaqësues të lartë të qeverisë së Kosovës dhe institucioneve publike. Kryeministri apo Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ishin prezent! Kjo mu duk sikurse ne kosovarët e kishim futur politikën primitive edhe tek ekonomia dhe investimet. Dukej sikurse marrëdhëniet e OEK dhe Qeverisë nuk ishin në nivel, ndryshe si të arsyetohej mos prezenca e KM apo Ministrave në një ngjarje ku mund të përfitonte potencialisht Kosova.

Gjithashtu, OEK, edhe pse kishte bërë përgatitje të mira dhe ishte përkushtuar, e bëri një gabim strategjik. Ajo favorizoj njërin nga bizneset vendore kundrejt të gjithë tjerëve, kjo ishte shumë e pahijshme. I mundësoj njërit nga bizneseve të Kosovës, dmth vetëm njërit, të prezentoj para ‘investitorëve’ por nuk ishte e kjartë pse një biznes u lejua e tjerët jo. Këtu u duk që nuk kishte aspak mundësi të barabarta dhe meritokraci dhe kjo nuk duhet të përsëritet.

Në përgjithësi, Kosova u pa që, për fat të keq, nuk ka shumë të ofroj përpos statistikave të anshme dhe analizave të pa-sakta apo të pavërteta, jo kredibile. Nuk kishte Kosova as edhe një listë të vetme të investimeve që ofron. Edhe nëse kishin pasur dëshirë me investu, shtrohet pyetja ‘cfarë ofrojmë?’… nuk kishim një listë të projekteve investive. U prezentuar rreth mundësisë të investimeve në energji të ripërtrishme, por sa ironike ishte kjo për disa biznese nga vendi totalisht i bazuar ne naftë.. Nëse strategjia jonë është të i mashtojmë investitorët duke ju ofruar statistika dhe argumente jo profesionale, kjo duhet të ndryshoj urgjentisht.

Mësimi kryesor këtu ishte që fillmisht DUHET të krijojmë kushte të mira për biznes-bërje dhe investime. Duhet të kemi oferta atraktive dhe të ju japim incentive dhe lehtësime investitorëve. Ti joshim ata. Nuk kishim faktikisht me cka ti joshim. E për ironi, në videon e Kosovës që prezentohej disa herë u reklamuan disa shishe të kokakollës me rasoj… Sikurse po tentonim ‘rasojin’ në kushtet më primitive të promovojmë dhe eksportojmë. Nuk është rasoji ide e keqe e biznesit, por duhet të brendohet ndoshta fillimisht dhe të paraqitet me standarde të mirëfillta të sigurisë së ushqimit e jo me shishe të koka-kollës.

Kështuqë, ne parase të atraktojmë investitorë nga jashtë, duhemi fillimisht të përmirësojmë kushtet dhe ambientin për bizneset tona vendore. Kjo më së miri do të shifet nëse ne arrijmë me ulë deficitin e tmerrshëm tregtar që qet jashtë secilin vit gjysmën e GDP-së së vendit. E tek ku krijojmë kushte për bizneset tona, atëherë kemi gjasa edhe të atraktojmë investitorë nga jashtë. Mbi të gjitha, ne duhet të kuptojmë që investitorët janë shumë të shkathët dhe nuk mund të i mashtrosh me statistika dhe fakte fake. Ata patjetër do e bëjnë vet analizën e pavarur dhe profesioanle parase me investu.

Rruga jonë për tu bërë një vend që thithim investime kredibile të jashtme kalon kah bizneset tona vendore. Pa krijuar kushte për vehtën as që kemi gjasa të krijojmë kushte për të ‘huajt’. Kemi shumë për të mësuar, por edhe shumë për të bërë, për shkak se transformimi nga gjendja aktuale në një gjendje të dëshiruar patjetër që do na merr me vite e dekada, por sa më herët fillojmë, aq më mirë.

Të ngjashme