Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, pritet të takohen në Bruksel sot (e mërkurë) për herë të parë që nga shtatori i vitit të shkuar dhe për herë të parë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Një ditë më herët, Kurti u shpreh se takimet në dialog do të jenë në funksion të rikapitullimit të procesit trevjeçar e edhe të prezantimit të ideve se si mund të ecet përpara.
Kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur pritje të mëdha nga takimi i parë pas nëntë muajsh. Por, ai ka theksuar se në takime me ndërmjetësit evropianë, e edhe me Vuçiqin, do të shprehen edhe ide për rrugën përpara.
“Besoj që përveç të tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, ka deklaruar Kurti.
Sipas Kurtit, zgjidhja evropiane për fqinjësi të mirë me Serbinë, është marrëveshja e arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe aneksi i saj i dakorduar në Ohër.
“E cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim kemi shkelja sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq nga 13 dhjetori i viti të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra nga mos respektimi nga shkelja e marrëveshjes bazike vijnë problemet në raport me Serbinë”, është shprehur Kurti.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’ia heqin masat Kosovës, ashtu siç ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Para takimit me presidentin Vuçiq, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.
Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në konfliktin pasues me Policinë u vranë tre sulmues. Pjesa më e madhe e grupit ka ikur në drejtim të Serbisë, ndërsa përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiqi, që gjendet i lirë në Serbi.
Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit. Që atëherë Borrelli e emisari për dialog, Miroslav Lajçak nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.
Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë. Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes. Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë, duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.
Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti. Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri sa të gjendet një zëvendësues.