Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot është takuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Gabriel Escobar dhe ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Pas këtij takimi, në një postim në Facebook, Osmani ka shkruar se Kosova është palë konstruktive dhe e angazhuar në procesin e dialogut “të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë”.
Në këtë takim, Osmani tha se ka shprehur përkushtimin e Kosovës “për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët”.
Ndër të tjerash, presidentja tha se Kosova asnjëherë nuk ka kontribuuar në tensione dhe se është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet.
Postimi i plotë:
Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë. Në takimin me të dërguarit e posaçëm Lajčák dhe Escobar shpreha përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme. Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie.