Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, zhvilloi sot një takim shumë përmbajtjesor me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, me të cilin diskutuan për një varg çështjesh që janë prioritet në programin e qeverisjes së re komunale.
Kryetari Rama, i kërkoi bashkëpunim ministrit Çeku për projekte të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, siç janë ndërtimi i Sallës Koncertale dhe Muzeut të Artit Bashkëkohor.
Me theks të veçantë, Rama e informoi ministrin Ceku për përgatitjet e Komunës së Prishtinës për Bienalen Nomade Evropiane “Manifesta”, që vitin ardhshëm do të mbahet në Prishtinë, ku për 100 ditë rresht do të organizohen ngjarje kulturore, performanca e punëtori të ndryshme, me qëllim të vetëdijesimit dhe fuqizimit të qytetarëve për të rimarrë hapësirat publike nëpërmjet artit dhe arkitekturës.
Në takim, të dy u pajtuan që të fillojnë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet dy institucioneve që i përfaqësojnë sa i përket trashëgimisë kulturore.