Pavarësisht përçarjeve të thella mes partnerëve të koalicionit qeverisës kryesisht për shkak të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare aktualisht duket si një “mision i pamundur” për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ajo është edhe partnerja më e madhe e koalicionit qeverisës dhe po kërkon të pezullohet taksa ndaj mallrave serbe, duke u thirrur në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së), por që një kërkesë e tillë po refuzohet nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Shefin e Qeverisë në mbajtjen e taksës po e përkrahin edhe partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Partia Socialdemokrate (PSD), të cilat thonë se nuk e përkrahin asnjë iniciativë për rrëzimin e ekzekutivit për shkak të taksës.