Taksa shtesë për produktet ndërtimore që importohen në Kosovë nga Serbia ka nevojë edhe për pak kohë që të arrijë efektin e pritur. Kështu ka njoftuar, pronari i fabrikës së bllokave “BricKos”, Mustafë Borovci, raporton EkonomiaOnline.
Mirëpo sipas Borovcit, ndonëse produktet ndërtimore kanë shitje më të madhe gjatë verës, rritja e interesimit të klientëve për blerjen e këtyre produkteve vërehet edhe tani.
“Edhe pse jemi në një sezon akoma të hershëm sa i përket intensifikimit të shitjes, për shkak të natyrës sezonale që kanë produktet tona prapëseprapë vërehet nga interesimi i klientelës që masa mbrojtëse e ka dhënë efektin e vet. Na duhet edhe pak kohë që kjo të vërtetohet edhe në terren, në praktikë me shitje por që shenjat janë edhe vërehet ndikimi i kësaj mase”, tha ai për EO.
“Kjo është një ndihmesë e madhe, sepse sjelljet dumping që i kanë pasë prodhuesit nga Serbia kundrejt produkteve të Kosovës me këtë masë mbrojtëse në njëfarë mënyre neutralizohet kjo sjellje e prodhuesve nga Serbia”.
Përkundër kësaj, pronari i “BricKos”, thotë se vendimi i ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani për taksën prej 4 centësh për blloka dhe produkte të tjera ndërtimore, do të ndikojë në rritjen e konkurrencës mes produkteve vendase dhe atyre që importohen nga Serbia.
“Efektet e saj janë se për tregun e Kosovës i bën më konkurrues karshi prodhuesve nga Serbia, sepse vendimi është i specifikuar për produkte nga Serbia”, tha Borovci.
Ndonëse në këtë fabrikë ka rreth 86 të punësuar dhe prodhohen deri në 55 mijë blloka në ditë, Borovci planifikon që gjatë vitit ta rritë kapacitetin e prodhimit për 15% si dhe ta shtojë numrin e të punësuarve.
“Masa mbrojtëse është vetëm një përshpejtues i këtyre zhvillimeve, mundëson kompanitë të investojnë më shumë dhe zhvillohen edhe më shpejt. Kjo domosdoshmërisht hap shteg edhe rritjes të kapaciteteve edhe për zgjerim të llojllojshmërisë së produkteve. Kapaciteti i kompanisë sonë është rreth 50-55 mijë blloka në ditë varësisht nga dimensioni, pesha dhe forma. Shpresojmë që këtë vit ta shtojmë kapacitetin diku edhe për 15 %”.
Sipas Borovcit, për fabrikën e tij dhe të ngjashmet që veprojnë në Kosovë, problem mbetet mungesa e kuadrove për këtë fushë.
“Problem shumë i madh është me kuadrin më të kualifikuar që tregu i ofron shumë pak edhe ata që i ofron kanë mungesë të theksuar të përvojës në lëmi të njohurive të dijes dhe shkathtësive që kërkohen për implementim praktik”, tha ai.
“Ka shumë kërkesa nga të papunësuarit për një vend pune, por që në pjesën dërrmuese të tyre ata janë të patrajtuar, të aftësuar nga shkollimi përkatës për nevojat që shfaqen në industri edhe pa shkathtësi adekuate për kryerjen e punëve”, bëri të ditur pronari i “BricKos”.
Pas taksës shtesë për importin e miellit nga Serbia, MTI në dhjetor të 2017-ës, ka vendosur që edhe për produktet ndërtimore që importohen nga Serbia të ketë një masë të njëjtë, raporton EO.
Pas këtij vendimi, prodhuesit serbë detyrohen të paguajnë 2 centë më shumë për çdo bllok të importuar në Kosovë.