Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nga partnerët e koalicionit qeverisës ishte vlerësuar fillimisht si vendim shumë i rëndësishëm.
Por, rritja e trysnisë ndërkombëtare për pezullimin e këtij vendimi që hyri në fuqi më 21 nëntor të vitit të kaluar, shënoi edhe pikën e nisjes së mosmarrëveshjeve mes kryeministrit Ramush Haradinaj në njërën anë dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe presidentit Hashim Thaçi, të cilët nuk ndajnë mendimin e njëjtë për taksën e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Derisa kreu i ekzekutivit insiston që taksa mos të hiqet, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, por edhe ish-kryetari i kësaj partie, tani president i Kosovës, Hashim Thaçi, janë të mendimit që taksa duhet të hiqet.
Këta të fundit ndërruan qëndrimin e tyre, pas presionit ndërkombëtar e sidomos kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që taksa të pezullohet dhe t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për qëndrimet e Qeverisë së Kosovës, ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se qeverisja Haradinaj duhet t’i ndryshojë qëndrimet edhe sjelljet e saj ndaj vendimeve që ka marrë dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçanërisht ndaj SHBA-së.
Mirëpo, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, tha se nuk ka përçarje ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Deputetja Haxhiu tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi për taksën, është marrë në bashkëpunim me partnerët e koalicionit.
Përçarja e partnerëve të koalicionit qeverisës, sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, tregon se vendimi për vendosjen e taksës, nuk ishte mirë i menduar. Ai për Radion Evropa e Lirë tha se vetë përçarja e koalicionit qeverisës në raport me taksën, dëshmon më së miri se nuk ka pasur plan ‘B’ dhe nuk ka pasur ndonjë ide se si duhet të vepruar nëse rritet presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë kosovare për shkak të taksës.