Qeveria e Pakistanit dhe talibanët pakistanezë kanë arritur marrëveshje për armëpushim njëmujor përderisa zhvillohen negociatat për t’i dhënë fund gjakderdhjes.
Ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Chaudhry, tha të hënën se me talibanët pakistanez është arritur armëpushim i plotë. Ky grup njihet ndryshe me emrin “Tehreek e Taliban Pakistan” (TTP).
Grupi është i ndaluar me ligj dhe mbahet përgjegjës për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në historinë e Pakistanit, përfshirë sulmin ndaj një shkolle të menaxhuar nga ushtria më 2014, kur ishin vrarë 132 fëmijë, si dhe përpjekjen e vitit 2012 për ta vrarë Malala Yousufzai, që u bë laureatë e Nobelit dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.
Përmes një deklarate, ministri pakistanez tha se bisedimet janë duke u zhvilluar dhe se afati i armëpushimit do të zgjatet me progresin e bisedimeve. Ai shtoi se këto bisedime janë në përputhje me kushtetutën e Pakistanit, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Sipas tij, bisedimet do të jenë të përqendruara në sovranitetin shtetëror, sigurinë kombëtare, paqen në zonat e konfliktit dhe stabilitetin shoqëror e ekonomik.
Në anën tjetër, zëdhënësi i talibanëve të Pakistanit, Muhammad Khurasani, tha se të dyja palët do të mbajnë armëpushim njëmujor deri më 9 dhjetor dhe se do të themelohen komisionet e bisedimeve për ta mbajtur vazhdimësinë e tyre.