Talibanët në Afganistan thonë se nuk kërkojnë “monopol në pushtet”

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Një zëdhënës i talibanëve, grup që tani pretendohet se kontrollon gati gjysmën e Afganistanit, ka thënë se nuk është duke synuar të udhëheqë i vetëm Afganistanin në strukturën e Qeverisë së ardhshme, dhe dëshiron të bashkekzistojë me institucionet aktuale, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press.

Deklarata e zëdhënësit, Suhail Shaheen më 30 janar është konsideruar e pazakonshme dhe duket se ka pasur qëllim uljen e shqetësimeve në mes të liderëve afganë që kundërshtojnë çdo marrëveshje të paqes që përfshin edhe këtë grup kryengritës.

Duke folur për këtë agjenci, Shaheen ka thënë se talibanët dëshirojnë të jetojnë së bashku me banorë tjerë “në një botë të përbashkët afgane”.

Talibanët kanë udhëhequr Qeverinë afgane para se të largohen nga pushteti më 2001, si pasojë e pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, meqë ky grup ka refuzuar t’i japë fund mbështetjes ndaj terroristëve të Al-Kaidës.

Liderët talibanë, që kanë fituar kontrollin më 1996, kanë imponuar formë të ashpër të Islamit që mohon edukimin dhe punën për gratë dhe vajzat, si dhe u mohon pjesëmarrjen në aktivitetet tjera sociale.

Militantët talibanë janë aktualisht të përfshirë në negociatat për paqe, që po mbahen në Katar, me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad.

Ky grup ka refuzuar deri më tani të arrijë një marrëveshje me Qeverinë e Kabulit dhe ka insistuar që trupat amerikane të largohen para se të arrihet një marrëveshje për paqe.

Megjithatë, si talibanët, ashtu edhe Khalilzad ka thënë se është duke u arritur përparim në këto bisedime.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur agjencia amerikane që vëzhgon çështjet e Afganistanit ka thënë se talibanët kanë rritur kontrollin e tyre në këtë shtet më 2018.

Sipas saj, Qeveria e Kabulit tani kontrollon rreth 54 për qind të distrikteve, në krahasim me 64 për qind sa ka zotëruar më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme