Së paku tre policë janë vrarë dhe 12 të tjerë janë lënduar nga një sulm vetëvrarës i talibanëve në Afganistan.
Një zëdhënës tha se shpërthimi i së shtunës e kishte cak stacionin e policisë në provincën juglindore të Ghaznit.
Ai tha se talibanët, të cilët e kontrollojnë një pjesë të madhe të kësaj province, e përdorën një automjet të vjedhur ushtarak gjatë sulmit në Ab Band.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabidullah Mujahid, e mori përgjegjësinë për këtë shpërthim.
Ky sulm ndodhi vetëm dy ditë pasi 50 njerëz humbën jetën në një varg sulmesh, përgjegjësinë për të cilat e morën talibanët dhe Shteti Islamik. Këto sulme ndodhën në tri provinca dhe e përfshinë edhe kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin.
Niveli i dhunës në Afganistan është rritur në kohën kur forcat afgane dhe militantët e talibanëve po përpiqen ta shtojnë ndikimin e tyre në negociatat për paqe.
Talibanët i kanë zhvilluar disa runde bisedimesh me përfaqësuesit amerikanë. Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad, ndodhet në Kabul për të biseduar për hapat e ardhshëm në këtë proces para negociatave të reja të javës së ardhshme në Katar.
Ndonëse asnjë marrëveshje mes palëve nuk është arritur ende, është raportuar për përparim dhe përafrim të qëndrimeve.
Talibanët e kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Afganistanit dhe ndikimi i tyre është më i madhi që nga viti 2001, kur Shtetet e Bashkuara i larguan ata nga pushteti përmes ndërhyrjes ushtarake, shkruan “Free Europe”.