Shefi i Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha sot në Këshillin e Sigurimit se angazhimi më i gjerë rajonal dhe një përqendrim i ri i Bashkimit Evropian paraqesin rast të veçantë për tejkalimin e bllokadës në marrëdhëniet në mes Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo bëhet me dije në njoftimin për media që ka lëshuar Zyra e UNMIK-ut në Kosovë. Sipas po këtij njoftimi, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, tha se nevojitet nivel i ri i angazhimit për të arritur ndryshime domethënëse në qëndrimet e qeverive në Beograd dhe Prishtinë.
“Alternativë tjetër të realizueshme nuk ka. Megjithatë, në mënyrë që kjo të ndodhë, ekziston nevojë e qartë e lidershipit për përballimin e sfidave, edhe nëse të njëjtat kanë kosto afatshkurtër politike. Fokusi i ri i Brukselit në të gjitha nivelet ofron mundësi dobiprurëse të ndërsjellë si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin për ta lënë prapa momentin e tanishëm të vështirë dhe për ta çuar dialogun në fazë të re të përparimit të mirëfilltë”, tha Tanin, përcjell Zyra e tij.
Shefi i UNMIK-ut tha në Këshillin e Sigurimit se Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje dhe takimi i Procesit të Berlinit në muajin korrik, mund të jenë ndihmesë shtesë “për të shfrytëzuar përkushtimin e ri të angazhimit në rajon”, posaçërisht pas disa ngjarjeve të vështira në mes Prishtinës dhe Beogradit në muajin mars.
“Periudha e kaluar në Kosovë në përgjithësi është karakterizuar me rënie si të cilësisë së aktiviteteve, ashtu edhe të dinamikës së diskursit politik mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Tanin e përgëzoi Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2015 për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, hap i rëndësishëm ky në rrugën drejt integrimit në BE dhe për procesin e liberalizimit të vizave, dhe për miratimin e draftit të ri të Kodit Penal të Kosovës – si dhe theksoi nevojën për punë më të mirë në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
PSSP Tanin foli edhe për diskutimet dhe angazhimin e frytshëm gjatë Forumit të Kombeve të Bashkuara për ndërtim të besimit në Lubjanë të Sllovenisë më 7 – 8 maj, ku udhëheqës të komuniteteve nga e mbarë Kosova u mblodhën për të diskutuar mbi mënyrat e ndërtimit të rrugës pozitive drejt të ardhmes, duke u përqendruar në gjashtë fusha kryesore tematike: llogaridhënia e mediave, qasja në drejtësi të paanshme, zhvillimi ekonomik, qasja në shërbime publike, bashkëjetesa fetare dhe reforma e arsimit.
“Individë të motivuar dhe energjikë nga e tërë shoqëria e Kosovës kanë diskutuar perspektivën e ndërtimit të besimit përmes një vistri të gjerë të aktiviteteve dhe bashkëpunimit pozitiv”.
PSSP Tanin në fund të fjalës së tij i falënderoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për punën e UNMIK-ut dhe dialogun e drejtuar nga BE-ja në mes Prishtinës dhe Beogradit.