Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare beson se Euro 2020 do të pezullohet për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Italia është vendi më i goditur në Evropë nga Coronavirusi.
“Italia është e ndarë në dy pjesë, në veri situata është dramatike. Në qendër dhe në jug ne e kuptojmë cili është realiteti faktik. Në Romë ende gjithçka është nën kontroll, por qyteti është zbrazur dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrezikun. Frikësohemi se virusi do të vijë këtu me të njëjtin intensitet si në veri. Më e mira është që të respektojmë ligjin. Na kanë këshilluar të qëndrojmë në shtëpi dhe të shmangim kontaktet me personat jashtë familjes”, ka thënë Tare për Now News.
Ai thotë që zhvillimi i ligës nuk do të mund të vazhdonte kështu, derisa mendon se do të suspendohet edhe Euro 2020.
“Liga s’mund të vazhdonte kështu. Lojtarët kanë rezultuar pozitivë, pas tre javësh do të dimë më mirë se sa kohë do të merë që të dalim prej situatës. Me klubin kemi vendosur që të ndalim stërvitjet të paktën edhe për një javë. E në fund mendoj se Euro 2020 do të pezullohet për t’i dhënë prioritet ligave përreth botës”, ka thënë Tare.