Tare: Qeveria nuk mund ta ndalojë futbollin

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë se qeveria nuk mund ta ndalojë rifillimin e futbollit dhe ka treguar se lojtarët i janë gëzuar lajmit për fillimin e stërvitjeve.

Qeveria italiane kanë dhënë leje për t’u kthyer në fusha stërvitore sot, por vetëm për stërvitje individuale. Por, ende nuk ka ndonjë vendim nëse do të vazhdohet kampionati.

“Unë kam dëgjuar se këtë javë mund të vijë një urdhër ligjor për të bllokuar kampionatin. Por, kjo nuk është fusha e tyre. FIFA dhe UEFA janë shprehur qartazi dhe kanë thënë se kampionati duhet të përfundohet. Ne mund t’i kthehemi fushës edhe në qershor dhe të përfundojmë kampionatin mes gushtit dhe shtatorit, duke shfrytëzuar faktin se Botërori 2022 do të mbahet gjatë muajve të dimrit”, ka thënë Tare për “Sky Sport Italia”. “Përfundimi i stinorit aktual po ashtu do të shërbente si përvojë për të nisur stinorin e ardhshëm. Para rikthimit ne duhet të testojmë të gjithë”.

Lazio zë vendin e dytë në renditje në Serie A me një pikë disavantazh nga lideri Juventusi. Tare ka thënë se Lazio ka qenë klubi i parë që ka ndaluar aktivitetin në momentin e shpërthimit të pandemisë.

“Ne ishim klubi i parë që ndaloi në shpërthimin e pandemisë. Në ishim në mesin e klubeve të para që u pajtua me urdhrat e qeverisë, asnjëri nuk u largua nga Roma, respektuam çdo gjë. E kuptoj se klubet tjera kanë lojtarë jashtë vendit, por nuk mbetet te unë të gjykoj. Ne kemi qenë pak agresiv në komunikimin tonë, por kemi parë dëmet që do të pësojë futbolli, që është industria e tretë më e madhe në Itali”, ka shtuar Tare.

Tare ndonëse nuk i ka kushtuar rëndësi betejës për titull, ka thënë se lojtarët i janë gëzuar lajmit për kthimin në stërvitje.

“Të flasim për Scudetto, kur kanë mbetur 12 ndeshje deri në fund dhe 36 pikë, më duket pak e tepërt. Nuk besoj se do të jemi skuadra e njëjtë kur rifillojmë. Kur të dielën erdhi urdhri për kthim në stërvitje, të gjithë festuan”, ka thënë Tare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme