Tare: Lazio të rrijë me këmbë në tokë, duam kualifikimin në Champions

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë se klubi i tij duhet të rrijë i qetë e të fokusohet në “kualifikimin për në Ligën e Kampionëve”.

Lazio është aktualisht e treta në Serie A, gjashtë pikë më pak se top-dyshja, por Tare ka refuzuar të flasë për garën për titull.

“Jemi vetëm në gjysmë të sezonit. Kemi fituar shumë beteja, por do të duhet të fitojmë luftën. Diskutimet për Scudetton nuk na shqetësojnë neve, qëllimi jonë ka qenë gjithmonë që të kualifikohemi për Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Tare për “Corriere dello Sport”.

Lazio ka fituar nëntë ndeshje rresht dhe është në seri fantastike pa humbje në 12 ndeshjet e fundit në ligë.

“Ëndrra është e bukur, por unë jam profesionist dhe dua të ec me këmbë në tokë. Duhet të mbesim me mend në kokë, të fokusuar e të vetëdijshëm që të jemi ekip i madh. Më pas, nëse jemi në luftë për diçka tjetër gjatë ditëve të fundit të sezonit, nuk do të ndalemi”, ka shtuar ai.

Lazio të shtunën përballet me Napolin dhe një fitore për këtë klub do të ishte tregues i mirë për formën, ka shtuar 46-vjeçari.

Të ngjashme