Tash e dy vjet, Kurti dhe Osmani janë duke e amnistuar ministren Gërvalla e cila po e shkatërron politikën e Jashtme

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 14:40 | Nga Artan Behrami

E di që strategjia e Qeverisë Kurti tash është me thënë që Vuçiqi po rren. Edhe kjo nuk do të ishte hera e parë as e fundit që Vuçiqi rren. Plus kryeministri e shtron pyetjen magjike: “A jeni me mua apo me Vuçiqin”.

Por, procesi i njohjeve është më kompleks dhe nuk mund të përkufizohet në një pyetje e as në një përgjigje.

Tash e dy vjet, Kurti dhe Osmani janë duke amnistuar ministren Gërvalla.

Osmani dhe Kurti janë të vetëdijshëm që kjo ministre është duke e shkatërruar MPJ-në, bashkë me të edhe politikën e Jashtme.

Largimi i Gërvallës do ta trazonte koalicionin. Andaj ata kanë vendosur interesat partiake mbi interesat e Kosovës.

Ata kanë menduar se politika e Jashtme, se ministria e Jashtme mund të zëvendësohen me vizita kurtuazie në shtete të ndryshme të botës.

Vjosa Osmani ka menduar se paaftësinë e Donikës e mbulon me albume fotografish me liderë botërorë, duke e reduktuar politikën e Jashtme në ekspedita personale.

Serbia ka shfrytëzuar mungesën e seriozitetit të Kosovës në politikë të Jashtme. Shumica e misioneve tona diplomatike janë boshatisur nga Gërvalla. Në vend të procesit të njohjes, Donika është marrë kush sa letra të bardha po i harxhojnë zyrtarët e MPJ-së.

Ajo asnjëherë nuk e ka lexuar Strategjinë për Njohje, e cila Kosovës dikur ia siguronte 3-4 njohje brenda muajit. Ajo asnjëherë s’e ka lexuar Strategjinë për Diplomaci Digjitale, e cila e kishte vendosur Kosovën në hartën botërore në Facebook, Apple etj.

Tani është momenti i fundit që Kurti, Osmani dhe Konjufca të ulen dhe ta zëvendësojnë këtë ministre me dikë që ka përvojë në diplomaci, që ka qenë pjesë e shtetndërtmit dhe e forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Politika e Jashtme duhet të jetë pika më përbashkuese në Kosovë, jo epiqendër e urrejtjes dhe inateve primitive!

Të ngjashme