Viktimat u gjetën të vdekur në një kamion në një park industrial në Essex, pasi policia u thirr në mëngjes dhe arrestoi shoferin.
Të 39 personat e gjetur të vdekur në një kontejner kamioni në një park industriale në Essex ishin shtetas kinezë, mëson Sky News.
Viktimat, të cilat përfshinin burra, gra dhe një adoleshent, u zbuluan në Parkun Industrial Waterglade në Grays në orët e para të mëngjesit ditën e mërkurë.
Autoritetet belge besojnë se kontejneri u transportua në Mbretërinë e Bashkuar nga porti i Zeebrugge në orën 2.49 rreth mesnatës.
Zyra e prokurorit belg tha se nuk është “ende e qartë” kur dhe ku janë vendosur viktimat në kontejner, duke shtuar se asnjë informacion i mëtejshëm nuk do të lëshohej në këtë kohë.
Siç ishte bërë e ditur, 25-vjeçari po drejtonte kamionin përpara se policia të thirrej në vendin e ngjarjes në Grays në orën 1.40 të mëngjesit, dhe oficerët që nga ajo kohë kanë filluar detyrën për të identifikuar ata që vdiqën.
Policia e Essex tha në një deklaratë: “Ky do të jetë një hetim i gjatë dhe kompleks dhe ne vazhdojmë të punojmë me partnerët vendas dhe autoritetet ndërkombëtare për të mbledhur informacione për të identifikuar ata që për fat të keq kanë vdekur”. /Telegrafi/