Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Republikën e Kosovës, nuk u garanton shkollim në arsimin e lartë të burgosurve që vuajnë dënimin nëpër qendrat korrektuese. Mundësinë e studimeve për personat e interesuar mund ta bëjë vetëm drejtori i qendrës përkatëse përmes programeve të veçanta. Mirëpo, një gjë e tillë nga Avokati i Popullit po shihet si s’përputhje në mes të ligjit në fjalë dhe të drejtës njerëzore për shkollim.
Legjislatura aktuale në Kosovë, nuk ua mundëson të burgosurve nëpër qendrat korrektuese që t’i vijojnë studimet në arsimin e lartë.
Neni 84 i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, këtë kompetencë ia jep drejtorit të qendrës përkatëse, mirëpo pa mbulim të shpenzimeve për studim. Sipas këtij neni: “Përmes programeve të veçanta, drejtori i institucionit korrektues i mundëson personit të dënuar vijimin e shkollimit fillor, të mesëm, universitar, apo ndonjë shkollim tjetër. Shpenzimet e shkollimit të tillë mbulohen nga personi i dënuar”.
Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën edhe drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Heset Loku. Ai ka thënë se këtë vit akademik vijimin e studimeve ia ka mundësuar vetëm një studenti, i cili e ka arritur një të dytën e dënimit dhe iu ka mundësuar shfrytëzimi i beneficioneve për shfrytëzim të vikendit në shtëpi.
Në të kundërtën, Loku ka thënë se për mundësinë e shkollimit të lartë nuk ekziston baza ligjore.
“Ka kërkesa të tilla por aty duhet të plotësohen disa kritere ligjore për mundësinë e vijimit në arsimin e lartë, por për momentin mungon edhe një udhëzim administrativ, i cili do ta rregullonte mundësinë e shkollimit universitar.”
Por, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka deklaruar se ka kërkesa të shumta të të burgosurve për të vijuar studimet, për çka ka kërkuar edhe interpretim ligjor nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
“Kemi pasur një peticion nga një nënë, për edukimin e të burgosurve në Kosovë, edukimin e lartë, është për fakultet, dhe bëhet fjalë për një numër serioz, a kanë bazë ligjore apo si qëndron gjendja.”
Jashari është shprehur se të burgosurve nuk do të duhej t’u merrej asnjë e drejtë tjetër përveç asaj të lëvizjes gjatë qëndrimit në burg.
“Prandaj, çdo pretendim për kufizimin e një të drejte tjetër sepse po t’i merrej një e drejtë tjetër ajo do të duhej të ishte pjesë e aktgjykimit. Mirëpo, përderisa si standard gjithkund në botë është që personi privohet vetëm nga liria e lëvizjes, derisa gëzon të gjitha të drejtat e tjera, atëherë në këtë kuadër bie edhe e drejta e edukimit që sistemi do të duhej t’ua mundësonte këtyre njerëzve, sepse në fund të fundit edhe ideja e vetë sistemit ndëshkues është që, këta njerëz t’i kthejë një ditë në shoqëri dhe të jenë persona që kontribuojnë dhe integrohen një ditë në shoqëri.”
Statistikat e Shërbimit Korrektues në Kosovë tregojnë se në shkollimin e lartë aktualisht nuk i vijon studimet asnjë i burgosur. Kjo pasi që ky shërbim nuk ka bazë ligjore t’ua lejojë një gjë të tillë.