Ministria e Jashtme e Holandës ka njoftuar se të dyshuarit për rrëzimim e aeroplanit të kompanisë Malaysia Airlines MH17 në lindje të Ukrainës, do të ndiqen penalisht nga një gjykatë holandeze.
Në njoftimin e kësaj ministrie nuk u përmendën emrat e të dyshuarve në tragjedinë e 17 korrikut të vitit 2014, në të cilën mbetën të vrarë 298 persona nga 17 shtete të ndryshme.
Mirëpo gjatë një hulumtimi ndërkombëtar të vitit 2016, thuhet se aeroplani MH17 u rrëzua nga një raketë e ashtuquajtuar Buk, e cila ishte lëshuar prej një territori të kontrolluar nga separatistët në lindje të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, ka thënë se vendimi për ndjekje penale në një gjykatë holandeze është marrë nga shtetet që kanë qenë pjesë e hetimeve të përbashkta për rrëzimin e aeroplanit.
Në mesin e këtyre vendeve përfshihen, Australia, Begjika, Malajzia, Ukraina, dhe Holanda.
Koenders ka thënë se këto shtete do të vazhdojnë bashkëpunimin gjatë ndjekjes penale dhe gjykimi do të përfshijë të gjitha viktimat, shkruan REL.
Ekipi i Përbashkët Hetues (JIT) që ka kryer hulumtimin ndërkombëtar ka gjetur se raketa e ashtuquajtur Buk është sjellur nga Rusia në Ukrainë pak para se të rrëzohej aeroplani MH17.
Rusia i ka mohuar përfundimet e këtij ekipi.