Të enjten më 16 shkurt do të nisin gërmimet në oborrin e xhamisë afër lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës, e cila u shkatërrua gjatë luftës së fundit, pasi që dyshohet se aty mund të ketë varrezë masive.
Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Prenkë Gjetaj, i cili tha se këto gërmime do të bëhen në bashkëpunim me mjekët ligjorë, Policinë e EULEX-it dhe atë të Kosovës.
“Sipas informatave që disponojnë institucionet përgjegjëse, dyshojmë që në atë vend ka mbetje mortore. Është caktuar data 16 shkurti për gërmimin vlerësues, i cili do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe organet kompetente vendore”, ka thënë Gjetaj.
Edhe Zyra e EULEX-it e konfirmon se gërmimet në Mitrovicën e veriut, do të fillojnë “shumë shpejt”, pa dhënë ndonjë datë.
“Vlerësimi i atij vendit do të bëhet në një të ardhme të afërt”, thuhet në përgjigjen që Zyra për Informim e EULEX-it i ka kthyer Ekonomia Online.
Këto gërmime kanë qenë të planifikuara të fillojnë në nëntor të vitit të kaluar, por edhe në janar të këtij fillim viti.
Fillimi i punimeve, zyrtarisht ishte thënë, se po shtyhej shkaku i motit të ligë.
Nga numri i përgjithshëm i personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, kanë mbetur edhe 1800, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë.
Kosova dhe Serbia deri më tash kanë zhvilluar një sërë takimesh teknike për të ndihmuar në ndriçimin e këtyre rasteve, por rezultatet deri tash kanë qenë të pakta.