Të forcohet drejtësia menstruale është thënë në konferencën “Trupi jonë nuk është tabu”

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 12:34 | Nga Flutura Sogonjeva

Në Panelin e dytë të konferencës rajonale” Trupi jonë nuk është tabu”, është diskutuar çështja ligjore rreth produkteve higjienike, me fokus instrumentet në nivelin rajonal për të zhvilluar dhe forcuar drejtësinë menstruale, raporton Ekonomia Online.

Lindita Toçi nga ministria e Financave tha se Qeveria synon objektivat e Bashkimit Evropian.

“Në aneksin e tretë nuk është i renditur ky lloj produkti mirëpo në bazë të Ligjit aktual ministria e Financave mund të nxjerr një akt ligjor. Qeveria e Kosovës gjithmonë synon objektivën e BE-së në produktet sanitare, pasi ajo e fakton që norma mund të jetë më së paku 5%.”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Sanela Shkrieli nga Maqedonia e Veriut tha se ka shumë faktorë ndikues në ndryshimin e taksave në produktet higjienike.

“Më kujtohet reagimi i parë kur filloi të flitej për ketë çështje. Jam e lumtur që është arritur ngritja e vetëdijes që produkti nuk është luks por nevojë. Por kur flitet për politikat gjinore ne duhet ta kemi parasysh se si buxheti ka implikime. Nuk ishte e lehtë por e rëndësishme, sepse kur flasin për ministrinë e Financave edhe buxheti ka të bëjë me të drejta njerëzore, ata duan ti shohin statistikat e të dhënat”, ka thënë ajo.

Anita Stjepçeviq nga Qendra e grave në Mal të Zi i kanë caktuar disa mjete të reja për reduktimin në 7% të higjienës menstruale.

“Në Mal të Zi në fillim të vitit të 2023 kemi caktuar bashkë me mediat dhe disa klube politike në Kuvend mjete të reja për reduktimin në 7% të higjienës menstruale”, ka thënë ajo.

Elirjeta Beka nga Rrjeti i Grave në Kosovë ka ngritur vëmendjen duke theksuar se thuhet se nëse do ta largojnë produktin për çështje menstruale, atëherë gratë do të kërkojnë edhe atë për pelena.

“Kur bëhet fjalë për buxhetin kjo është çështje e varfërisë sepse në Kosovë 25% jetojnë në varfëri dhe 5% në atë të skajshme dhe thuhet se nëse ne do ta largojmë produktin për çështje menstruale, atëherë gratë do të kërkojnë edhe atë për pelena”, ka thënë Beka.

Beka tha se ishte çështja e tabusë dhe sipas saj Qeveria ose Komuna nuk monitoron çka po mësohet në shkolla.

“Kur kam qenë fëmijë kur mësonin për ciklin menstrual mësuesit i kanë larguar djemtë nga klasa. Edhe edukimi ende nuk mësohet në shkolla, përveç largimit të tatimit në produkte menstruale. Duhet të merret shembull Anglia që edhe shkolla të kenë produkte menstruale”, ka thënë ajo

Sanela Shkrieli ka thënë po ashtu se duhet ta dimë kush po i financon lëvizjet kundër gjinisë e sigurisë.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që duhet të luftojmë shumë që mos ti lejojmë lëvizjes kundër barazisë gjinore që ti zhdukin këto që i kemi arritur deri sot. Duhet ta dimë kush po i financon lëvizjet kundër gjinisë e sigurisë. Ka shumë hulumtime që janë çështje të sigurisë kombëtare në sferën publike. Se cili është qëllimi i lëvizjes antidemokratike na duhet fuqi për të folur e rritur zërat, kemi qenë 51 gra në parlament do themi jo dhe amandamentet s’duhet të kalojnë”, ka theksuar ajo.

Lindita Toçi nga ministria e Financave ka deklaruar se brenda këtij viti është e paraparë ta ulin normën.

“Legjislacioni ka me u rishiku. Brenda këtij viti është e paraparë dhe jemi të gatshëm ta ulim këtë normë dhe nuk merr shumë kohë për me e fut zbritjen e TVSh-së për normën e ulet prej 8%”, ka thënë Toçi.

Të ngjashme