Sport Club “Gjilani” njofton se pas ritestimeve të ditës së djeshme e gjithë skuadra ka rezultuar negativë, njofton klubi kosovar përmes një postimi në Facebook.
“Futbollistët pas ritestimit të ditës së djeshme, sot morën lajmin pozitiv, ku na jepet e drejta e zhvillimit të takimit kundër Tre Penne”, thotë Gjilani.
Takimi mes Tre Pennes dhe Gjilanit zhvillohet sonte (e premte) me fillim në ora 20:00, në stadiumin “Stadio Olimpico di Serevalle”, në San Marino.
Në fakt, skuadrat kosovare kanë pasur shumë telashe sivjet në garat ndërkombëtare për shkak të koronavirusit.
Drita ka luajtur një ndeshje në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, mirëpo në të dytën nuk u lejua nga autoritetet zvicerane pasi i dolën disa lojtarë pozitivë në COVID-19 dhe më pas UEFA vendosi të eliminojë Dritën, duke e regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar 0:3 në favor të ekipit kundërshtar.
Ndërkohë, Prishtina udhëtoi në Gjibraltar për ndeshjen parakualifikuese të Ligës së Evropës, por në testet para ndeshjes rezultuan tetë lojtarë me COVID-19 dhe autoritetet e atjeshme vendosën që ndeshja të mos luhet. Më pas UEFA mori vendim që ndeshja të luhet (22 gusht), por që Prishtina të paraqitet me ekip krejt tjetër. Prishtina huazoi lojtarë nga ekipet e Superligës së Kosovës.
E dje, u desh të luhej edhe ndeshja e Gjilanit në San Marino, por një lojtar rezultoi pozitiv dhe u shty.
Vendimi i UEFA-s ishte që lojtarët e Gjilanit të testohen sërish dhe ndeshja të luhet sonte.