Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Renda e Policisë së Kosovës është duke hetuar dhe ekzaminuar provat për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Atentati ndaj ish-deputetit Ivanoviq cilësohet si “vrasje e rëndë”, ndaj edhe hetohet nga kjo drejtori. Por ky fakt i ka bërë kurioz mediat në Beograd.
Sajti i televizionit shtetëror të Serbisë, citon shefin rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Zeljko Bojiç, tu ketë thënë se në fazën e dytë të hetimeve të atentatit të së martës, provat dhe gjurmët tjera, bashkë me serverin e video-incizimeve dhe të gjitha materialet e marra në vendin e ngjarjes janë përcjellë për në Prishtinë.
Lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, dje rreth orës 8 të mëngjesit, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka njoftuar se politikan serb është qëlluar gjashtë herë me armë zjarri të kalibrit 9X19 mm, nga persona të panjohur deri më tani.
Arma që është përdorur në rast dyshohet të ketë qenë me shurdhues.
Në vazhdën e hetimeve të deritashme Policia e Kosovës thotë se ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka procesuar shikimin e vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur dëshmitë relevante për këtë rast.
“Tani jemi në proces të ekzaminimit kriminalistik të të gjitha dëshmive. Në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë tjera materiale. Ekipi hetimor i përbërë nga zyrtarë të specializuar për këto raste, përfshirë zyrtarët e Hetimit të Krimeve të Rënda, ekipet e Forenzikës Qendrore, IT Forenzikës, zyrtarë të Inteligjencës, Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, janë angazhuar maksimalisht në procesimin e të gjitha të dhënave që ndërlidhen me këtë rast”, ka njoftuar PK.
Sipas Policisë, deri në këtë fazë janë intervistuar edhe disa dëshmitarë si dhe janë pranuar disa informacione përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, të vendosura për këtë qëllim nga Policia e Kosovës.
PK ka njoftuar se është kryer edhe obduksioni dhe tashmë ka nxjerrë rezultatet preliminare.
“Në kuadër të veprimeve hetimore është identifikuar një veturë e djegur, e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, veturë e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast. Gjithashtu kemi arritur të gjurmojmë në nivel vendi por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin/poseduesin e kësaj veture”, thotë njoftimi i Policisë.