Bora që ka filluar të bie në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Komunën e Klinës në disa fshatra ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Por, me intervenimin e autoriteteve komunale përmes kompanisë së kontraktuar, rrugët janë bërë të kalueshme në zonat urbane dhe rurale.
Që në orët e hershme të mëngjesit kompania e kontraktuar nga komuna ka intervenuar në pastrimin e rrugëve të Sferkës, Volljakut, Dushit, Ujmirit, Jashanicës, Siqevës, Dobërdolit, Çabiqit, Kpuzit, Qeskovës, Shtupelit e rrugë të tjera si dhe në qytetin e Klinës.
“Në terren kanë dalë edhe zyrtarët komunalë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me inspektorë, të cilët nga afër po përcjellin gjendjen. Katër kamionë janë duke punuar pandërprerë në pastrimin e rrugëve në të gjitha pjesët e Komunës së Klinës sidomos në zonat malore, ku në mëngjes është raportuar për sasi më të madhe të borës”, thuhet në njoftimin e komunës së Klinës.
“Komuna është në gjendje gatishmërie për të intervenuar aty ku është e nevojshme për të krijuar lehtësi në lëvizjen e qytetarëve. Si rezultat i intervenimit të shpejt, të gjitha rrugët si në qytet po ashtu edhe pjesët rurale janë plotësisht të kalueshme”, theksohet në njoftim.
Zyrtarët komunalë apelojnë te shoferët e automjeteve që të mos dalin në rrugë pa pajisje dimërore dhe të kenë kujdes në ngasjen e automjeteve.