Fshati Bistricë e Shalës në Komunën e Leposaviqit është një fshat i cili banohet nga 30 familje shqiptare.
E po në këtë fshat ekziston edhe një shkollë e quajtur “Kadri Bistrica”, e cila ka vetëm 23 nxënës.
Ani pse vizitat në këtë shkollë janë shumë të rralla për shkak që fshati gjendet në një zonë të thellë malore, sot nxënësit e kësaj shkolle u vizituan nga kompania “Hib Petrol”.
Hib Petrol iu shpërndau atyre disa dhurata simbolike për fundvit.
Frosina Islami nga HIB Petrol tha se tashmë ky aktivitet është shndërruar në traditë edhe përkundër rreziqeve që ndodhen në atë pjesë.
Islami tha kjo pjesë arsimore e anashkaluar i shtyn ata të marrin iniciativa të tilla.
“Është viti dytë radhazi që HIB Petrol ka bërë një donacion të tillë për nxënësit e kësaj shkolle po besoj që kjo nuk do jetë edhe hera e fundit dhe kjo do kthehet edhe si nja traditë. Është ndoshta diçka e vogël dhe simbolike por e kemi punuar me shumë shpirt pasi që kjo është një pjesë më e anashkaluar e arsimit tonë”, pohoi Islami.
Ndërsa Fisnik Thaçi, menaxher i të gjitha pikave në HIB Petrol tha se është kënaqësi të zhvillohen vizita të tilla.
“Ne sot jemi ardhur në shkollën Kadri Bistrica që ta zhvillojmë këtë aktivitet simbolik të bëjmë shpërndarjen e dhuratave për këta nxënës. Është kënaqësi e jona të jemi sot këtu”, tha Thaçi.
Në anën tjetër drejtoresha e kësaj shkolle Ferdije Shabani e cila jeton në qytetin e Mitrovicës veriore tregon për Ekonomia Online që i duhet të udhëtoj çdo ditë për të punuar në këtë fshat të Leposaviqit.
Shabani falënderoi HIB Petrol për iniciativën e marrë për ta vizituar shkollën “Kadri Bistrica” në Bistricë dhe për të shpërndarë dhuratat e përgatitura për ta.
“Kjo është hera e dytë që HIB Petrol merr iniciativa të tilla për dhurata kaq modeste. Ju falënderohem shumë që kanë marrë mundin me ardhur deri këtu. Falënderohem shumë HIB Petrolit i cili në këso situata ka shpreh vullnetin për me ardh edhe me na vizituar”, tha Shabani.
E për gjendjen e fshatarëve në Bistricë por edhe stafit të shkollës Shabani nuk pati fjalë të mira.
Ajo tha se kjo pjesë ka mbetur e harruar nga shteti pasi qe mësimdhënësit të cilët udhëtojnë çdo ditë për ta zhvilluar mësimin në atë shkollë, detyrohen të paguajnë çdo muaj 50 euro për transport.
Ani pse sipas saj Komuna e Leposaviqit dikur iu pati premtuar që do ua hiqte këtë barrë.
Shabani në fund pati edhe një kërkesë për institucionet e Kosovës.
“Tek ne kushtet nuk janë ashtu siç duhej të ishin por prapë vijon mësimi si në qytet si këtu, kemi një staf që punojnë nxënësit kanë interesim. Është problemi i transportit pasi që mësimdhënësit për të ardhur deri duhet ta paguajnë 50 euro për muaj edhe pse ne kemi bërë kërkesë që mësimdhënësve të iu hiqet një barrë e tillë por nuk jemi marrë parasysh. Shkolla jonë e cila gjendet në fshatin Bistricë të Shalës i takon komunës së Leposaviqit. Kushtet nuk janë të mira detyrohemi të trokasim në dyer të ndryshme që të na marrin parasysh. I bëj ftesë institucioneve të Kosovës që të merren pak më shumë me këtë pjesë. Kemi nevojë ende për interesim”, shtoi Shabani.
Ndërsa Elsa nxënëse e klasës së shtatë të shkollës së mesme dhe të ulët “Kadri Bistrica”, iu gëzua shumë vizitës së HIB Petrolit pasi që sipas saj fshati i tyre ka mbetur një pjesë me më pak interesim.
“Faleminderit që keni ardhur dhe na keni vizituar sot dhe na keni gëzua me dhuratat e juaja. Ne e çmojmë shumë këtë iniciativë pasi që kemi mbete një pjesë me më pak interesim. Faleminderit shumë që nuk po na harroni as gjatë festave të fundvitit”, tha nxënësja Elsa.
Ndryshe gjatë kësaj dite HIB Petrol vazhdoi aktivitetin e saj edhe në komuna të tjera.