Kosova dhe Serbia do të takohen të hënën në nivel ekspertësh në Bruksel. Në këtë takim do të hapet edhe tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
E hëna do t’i gjejë përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës në diskutime të reja me ata të Serbisë.
Në takimin e ekspertëve e ku do të jenë prezentë edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të hapet edhe tema e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Burime të Express kanë thënë se janë marrë të gjitha dokumentet përgatitore për Asociacionin dhe do të diskutohen të hënën në Bruksel.
Përveç asociacionit, në Bruksel do të driskutohet edhe çështja e të pagjeturve si dhe për çështje ekonomike.
Pjesë e delegacionit janë Shqiprime Dërvisholli, Muhamet Mustafa, Ibrahim Makolli dhe Gazmend Qorraj, të cilët kanë shkuar të premten në Bruksel për të përgatitur takimin e së hënës mes Hotit dhe Vucicit.
Kjo përbërje është nisur të premten drejt Uashingtonit, ndërkaq gjatë së shtunës dhe të dielës kanë pasur takime përgatitore për atë të së hënës.
Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, i cili buron nga Marrëveshja e Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, tashmë jo vetëm që ka ngecur në fazat e zbatimit, por në takimet e fundit ndërmjet liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë, nuk është përmendur fare.
Çështja e themelimit të Asociacionit, e cila konsiderohej si pjesë esenciale e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur në margjinat e ideve për ndryshim të kufirit, si zgjidhje e përfolur për arritjen e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Takimi në nivel të ekspertëve dhe ai i nivelit të lartë vijnë pas takimit ku Kosova dhe Serbia patën të premten e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku prezent ishte edhe presidenti i SHBA’së, Donald Trump.
Në këtë takim, palët arritën marrëveshje për disa marrëveshje ekonomike.
Ndërkohë, emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se njohja reciproke nuk u diskutua në Shtëpinë e Bardhë mes Avdullah Hotit dhe Aleksander Vuçiq për arsye se kjo temë do të hapet të hënën në Bruksel.
“Palët do të takohen të hënën në Bruksel dhe është një aspekt tjetër që do të diskutohet dhe më lër që të lidhem me pyetjen tënde për këtë “pikën 10” një nga arsyet që ne nuk kemi dashur të flasim për këtë temë këtu është sepse është në agjendën që do të diskutohet të hënën në Bruksel”, ka thënë Grenell.
Grenell ka thënë se temën e njohjes reciproke ua ka lënë europianëve.
“Ne po provojmë që të bashkërenditemi me evropianët se çfarë mund të bëjmë ne dhe çfarë mund të bëjnë ata për të shtyrë këtë përpara. Të hënën ajo temë do të diskutohet në detaje në Bruksel, kështu që unë jam i sigurt që ne në njëfarë mënyrë duhet të lëmë dhe të punojmë me evropianët në këtë çështje”, u shpreh ai.