Të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, do të dalin përsëri para gjykatës ku do të shqyrtohet kërkesa për masën e paraburgimit.
Të hënën në orën 11 pritet që të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit përsëri të dalin para gjykatës për shqyrtimin e masës së paraburgimit për shkak se Gjykata e Apelit e ka kthyer vendimin e gjykatës së shkallës së parë në rivendosje, transmeton kallxo.com
Tre të dyshuarve Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar 30 ditë paraburgim.
Lajmin e konfirmoi prokurori Sylë Hoxha.
“Po është e vërtetë e kam marrë vendimin dhe ftesën qe me datë 17 dhjetor në orën 11 të paraqitem në gjykatë për shqyrtimin e kërkesës së paraburgimit”, tha Hoxha.
Muajin e kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar për vrasjen që ndodhi në janar, në Mitrovicën e Veriut.