Të izoluar prej ditësh nga bora dhe në pamundësi komunikimi me pjesën tjetër të vendit, banorët e fshatit Shumbat në Dibër janë organizuar për të hapur vetë rrugën për të mundësuar transportin me furgon për në spital të 4 të sëmurëve në fshat, për të cilët mungonte mjekimi.
Banorët tregojnë se fadroma ka hyrë disa dhjetra metra duke mos e hapur plotësisht rrugën dhe është kthyer. Por, vetë ata kanë mundur të hapin 3 km rrugë deri në segmentin kryesor.
Situata është e njëjtë edhe në fshatrat e tjerë të njësisë Sllovë, ku edhe në Dipjakë banorët kishin dalë ta hapnin vetë rrugën.
Në Dibër, pjesa më e madhe e fshatrave të thella janë të izoluara dhe nuk kanë rrugë për automjete që të lidhen me qytetin e Peshkopisë. /Top Channel