Klara Buda është gazetare, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. E vendosur në Paris që prej vitit 1990, ajo ka punuar respektivisht për UNESCO-n, BBC-në dhe Radio Francën Internacionale, ku drejtoi redaksinë shqipe deri në mbylljen e saj.
Pas studimeve të Letërsisë moderne dhe të krahasuar në Sorbonne, ajo ndryshoi drejtimin e saj fillestar të Mjekësisë Veterinare dhe u diplomua në Histori Arti dhe Metoda të Studimit të Historisë, në Ecole Pratique des Hautes Études, E.P.H.E. në Paris, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndër botimet e saj veçojmë romanin “Kloroform mbi fatin e individit në totalitarizëm”, vëllimin “Kosova Mon Amour”, e nderuar me çmimin e publicistikës, kritikës dhe të esesë në panairin e librit “Prishtina 2017”, përkthimin në frëngjisht të rrëfenjës “Fshati im e pi rakinë”, të Mitrush Kutelit, si dhe studimin akademik “Rrëfenja Kuteliane”. Romani “Pëshpërimë Gruaje”, botuar nga “MAPO Editions”, është një fiksion që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar shqiptar.